Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilin diskutoi rreth angazhimeve të MKRS-së dhe bashkëpunimin që ministria ka pasur me Ambasadën e Finlandës në Kosovë, me ç’rast ministri edhe e falënderoi ambasadoren dhe nëpërmjet saj qeverinë dhe popullin e Finlandës për ndihmën dhe mbështetjen që kanë dhënë për shtetin e Kosovës, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga MKRS, theks i veçantë, gjatë këtij takimi, iu kushtua koordinimit të përbashkët për fushën e Rinisë. Ministri Gashi e informoi ambasadoren se MKRS-ja është duke e finalizuar Strategjinë e re për Rininë, përmes të cilit i kushtohet vëmendje e posaçme këtij grupi të madh shoqëror, duke e pasur parasysh faktin që pjesa me e madhe e shoqërisë tonë janë të rinjtë.
“Për herë të parë në këtë strategji do të përfshihet Fondi për rini dhe në kuadër të këtij fondi mund të kemi bashkëpunim të ngushtë me ambasadën sepse parashihen disa programe per të rinj, siç janë shkëmbimet rinore dhe përvojat e tyre mes shteteve të ndryshme. Në kuadër të strategjisë kemi përfshirë edhe komponentin e luftës kundër ekstremizmit”, u shpreh ministri Gashi.
Sipas komunikatës, ministri po ashtu e njoftoi ambasadoren finlandeze Stjernvall, se MKRS-ja mbështet të rinjtë në projekte të ndryshme përmes subvencionimit direkt, ndër ta, ndërmarrësit e rinj si dhe projektet e ndryshme inovative. “Për herë të parë në Kosovë do të fillojë projekti i ndërtimi të Qendrës Mutlifunksionale për rini, i cili është një model i sjellë si përvojë nga SHBA-ja”, tha ministri.
Ambasadorja Pia Stjernvall, nga ana e saj, e falënderoi ministrin për takimin dhe tha që ndodhet në ministri për të diskutuar për çështje të rinisë dhe kulturës.
Ambasadorja e vlerësoi se rinia e Kosovës ka një potencial të veçantë. Ajo e njoftoi ministrin Gashi se në Finlandë kur hartojnë dokumente të ndryshme strategjike, fokus primar i kushtojnë rinisë, e më pas marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit e stabilitetit rajonal.
“Ne si ambasadë kemi kapacitet që të krijojmë lidhje mes rinisë së Finlandës dhe rinisë së Kosovës. Kemi pasur vizita nga Finlanda në Universitetin e Prishtinës dhe në UBT. Ende nuk e kemi të qartë cilat projekte do t’i realizojmë bashkërisht mirëpo jemi këtu që të diskutojmë rreth një bashkëpunimi më konkret. Ne në ambasadë do të ftojmë të rinj që të bashkëbisedojmë për gjërat që janë në interes dhe në prioritetin e tyre”, tha ndër të tjera ambasadorja.