Ekipi i Kosovës që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, është pritur nga ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, raporton Ekonomia Online.
Ministri Gashi tha se është shumë i lumtur që talenti i këtyre sportistëve do të tregohet në gara ndërkombëtare.
Ai tha se pret që sportistët të kthehen me medalje nga këto gara duke pasë parasysh talentin që kanë.
“ Është kënaqësi e veçantë si ministër të pres ekipin e xhudistëve, ky takim është për tu uruar suksese, për ta konfirmuar mbështetjen tonë, edhe për ta treguar përkushtimin tonë si qeveri edhe si Komitet Olimpik, jam shumë i lumtur që talenti i këtyre sportistëve do të tregohet në gara ndërkombëtare. Është padyshim moment i rëndësishëm si Qeveri edhe për Kosovën, presim të kemi medalje nga këto gara, jam shumë i bindur duke pasë parasysh talentin se do të kthehemi në Kosovë me medalje”, tha Gashi.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, ka treguar se përgatitjet kanë shkuar mirë dhe presin rezultatet.
“ Në emër të delegacionit, dëshiroj t’ju falënderoj ministër për këtë pritje që është një inkurajim për neve, një ekip prej 12 anëtarëve. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë edhe duke ju falënderuar mbështetjes tuaj dhe KOK-ut.
Majlinda Kelmendi, kampione olimpike në xhudo, tha se ekipi është i përgatitur dhe i gatshëm për ballafaqim.
“Në emër të sportistëve ju falënderoj për pritjen, poashtu për përkrahjen. Do të jetë hera e parë në lojëra evropiane, jam e motivuar këshilla ime për këta sportistë është që të jenë të fokusuar në punë. Kemi me u kthy me disa medalje sporti, jemi të motivuar dhe kemi me i bë krenar njerëzit në Kosovë”, tha Kelmendi, raporton EO.
Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Driton Kuka, tha se në mënyrën më të mirë do ta përfaqësojnë Kosovën në këto gara.
“Të gjithë këta sportistë kanë pasë mundësi të përgatiten, s’kanë arsyetim përveç me marr përgjegjësinë, në mënyrën më të mirë të mundshme do ta përfaqësojmë Kosovën, do të kemi medalje që është cak medalja, do ta arsyetojmë këtë përkrahje para institucioneve”, tha Kuka, raporton EO.
Në fund të takimit kryetari i KOK-ut Hasani i dhuroi ministrit fanellën e përfaqësues së Kosovës dhe një fletushkë me informata nga garat e mëhershme.