Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, priti në takim shefin e ri të misionit të UNHCR-it në Kosovë, Erol Arduc, i cili shoqërohej nga Narasimha Rao, ish-shef i misionit, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga MPB, Gashi e uroi për detyrën Arducin dhe duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me misionin e UNHCR-it në Kosovë, ministri Gashi shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe me shefin e ri, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta.
Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për projektet e përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe UNHCR-së në fushën e migrimit, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës janë duke menaxhuar mirë çështjen e azilkërkuesve në Kosovë.
Ministri Gashi falënderoi Raon për punën që ka bërë gjatëmisionit të tij, veçanërisht për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Me këtë rast ministri Gashi i njoftoi edhe për rezultatet konkrete të realizuara nga MPB-ja në fushën e migrimit, duke konstatuar se Republika e Kosovës tashmë ka konsoliduar një mekanizëm funksional në fushën e migrimit dhe po punohet në ngritjen e kapaciteteve operacionale në këtë fushë.