Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, e ka përkrahur taksën prej 100 përqindësh ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Ai ka bërë me dije se kjo taksë mund të pezullohet vetëm nëse kushtëzohet me reciprocitet të plotë. Gashi ka deklaruar se nëse taksa do të pezullohej me këtë kushtëzim, edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta drejtonte gjithë presionin te pala e Kosovës.
“Taksa mund të pezullohet për një kohë të caktuar vetëm nëse zëvendësohet me reciprocitet të plotë në marrëdhëniet tregtare dhe jo vetëm midis dy shteteve. Mendoj se në këtë drejtim janë edhe dhjetë kërkesat e liderit të PDK-së dhe të kreut të Kuvendit, z. Veseli”, ka thënë Gashi.
Ai ka vlerësuar se tani edhe bashkësia ndërkombëtare i ka kuptuar arsyet e vendosjes së taksës.
Sipas Gashit, pezullimi i taksës me këtë kushtëzim nuk do të ndikonte në raportet e Kosovës me ShBA-në.
“Pala amerikane i ka kuptuar në masë të madhe arsyet e vendosjes së taksës, ndaj ka kërkuar pezullimin dhe jo heqjen e saj. Mendoj se, duke e pezulluar përkohësisht taksën, me kushtin që e cekëm më lart, do t’i ruanim raportet e mira me ShBA-në, diçka që është e rëndësisë primare për Kosovën”, është shprehur ai për Epoka e Re.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ka folur edhe për kushtet e qeverisë për ta hequr taksën.
Gashi ka thënë se është vështirë e besueshme që Serbia heqjen e taksës do ta këmbejë me njohjen e Kosovës.
“Të gjitha kushtet e qeverisë janë të drejta në parim, por është vështirë e besueshme që Serbia heqjen e taksës do këmbente me njohjen e Kosovës. Ndoshta hapi i parë drejt njohjes është kushtëzimi i pezullimit të taksës me zbatimin e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, si fazë testuese për Serbinë, para se t’i kërkohet njohja. Mendoj se nëse taksa do të pezullohej përkohësisht me këtë kushtëzim edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta drejtonte gjithë presionin te pala e Kosovës”, ka thënë Gashi.