Gashi viziton Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, premton buxhet shtesë

Prishtinë | 19 Kor 2018 | 13:03 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, ku është njoftuar me ecurinë e punimeve që po ndërmerren nga Instituti Arkeologjik, në bashkëpunim me  L’Ecole Normale Superiore nga Parisi dhe Universitetin e Prishtinës.

Ai gjatë kësaj vizite u takua edhe me studentë të Universitetit Veror në Prishtinë.

Ministri Gashi tha se ky park është i rëndësishëm për vendin dhe si i tillë do ta ketë mbështetjen e ministrisë, raporton Ekonomia Online.

“Kemi ardhë këtu, sigurisht për të parë edhe bashkëpunimin që kemi me universitetin veror, për të parë këta studentë që po punojnë këtu, gjithashtu për të parë afër edhe çështjen e pronësisë, sepse siç dihet ka prona private dhe jemi të interesuar si qeveri që ky projekt të hapet edhe më tutje. Është hera e tretë që po vij në këtë park për të treguar që ky vend është i rëndësishëm për mua dhe nëse ka nevojë do të shtojmë edhe buxhetin”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, tha se ardhja e studentëve nga vende të ndryshme të botës promovon kulturën në vend, raporton EO.

“Prania e ministrit të Kulturës tregon që ministri po mbështet edhe Universitetin e Prishtinës. Sepse këtu ka edhe studentë nga gjithë bota. Nesër përfundon ky edicion dhe si i tillë tregon një storje të rëndësishme për UP-në”.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë, Vjollca Aliu, tha se ngritja e kapaciteteve për punë është e rëndësishme për parkun arkeologjik.

“Ajo që e konsiderojmë shumë të rëndësishme është marrëveshja që po zbatohet mes Ambasadës së Francës dhe UP-së. Parku për nga rëndësia tregon edhe rëndësinë e ngritjes së  kapaciteteve të punës në këtë punë. Prania e ministrit tregon edhe përkushtimin për zgjerimin e këtij projekti”.

Profesori Jean Luc Lamboley tha se studentët kanë përparuar dhe janë ngritur profesionalisht gjatë kohës sa kanë qëndruar në këtë park.

“Është kënaqësi te vish këtu në Kosovë, e sidomos në Ulpianë. Është eksperiencë e veçantë, sepse pas 10 vitesh ky park ka përparuar shumë. Është shumë mirë për mua të shoh se gjenerata e re e arkeologjisë po përparon dhe është e gatshme të punojë”.

Diellza Mujaj, studente e Universitetit Veror, tha se ditët e kaluara në këtë park janë mundësi e mirë për të përfituar në anën profesionale.

“Ne si studentë të edicionit të 18-të kemi pasë kënaqësinë të kalojmë ditët këtu në këtë park. Ka qenë përvojë e mrekullueshme dhe jemi ngritë profesionalisht”.

 

Të ngjashme