Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, i është gëzuar tej mase sukseseve të sportistëve tanë të cilët po marrin pjesë në Lojërat e Dyta Olimpike Evropiane në Minsk të Bjellorusisë.
Ai përmes rrjetit social Facebook është shprehur: “Plot tri medalje në Lojërat Olimpike Minsk 2019. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, plot tri herë ngritet flamuri e Kosovës në Bjellorusi, në vendin që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës”.
“Një përgatitje e jashtëzakonshme e xhudistëve tanë nga Driton Kuka, një trajner i kalibrit botëror të cilin dëshirojnë ta kenë edhe shtetet më të fuqishme të Botës. Një njeri i palodhur i cili ka karakteristika të veçanta dhe i cili di të përgatisë sportistë për medalje e për kampionë”, ka shkruar ndër të tjera ministri Gashi.
“Majlinda Kelmendi, mbretëresha dhe heroina e Kosovës e dëshmuar edhe në Lojërat Olimplike ku për herë të parë e bëri Kosovën me medalje të artë, njejtë edhe në këtë Kampionat Evropian e fitoi Medaljen e artë, Nora e Akil Gjakova, Distria, Erza, Loriana, Shpati e xhudistë tjerë, padyshim janë shpresë për vendin tonë”.
“Si ministër i Sportit, zotohem se këta sportistë elitarë të prirë nga Majlinda e të udhëhequr nga Toni, jo vetem se do të përkrahen ashtu sikur deri më tani, por kjo mbështetje do të jetë edhe më e fuqishme, krahas punës dhe suksesit deri te pika kulmimante e tyre”, ka theksuar Gashi në postimin e tij në facebook.