Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Shtimes, ku me kryetarin e kësaj komune, Naim Ismajlin, ka nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi.
Ministri Gashi tha se vlera e mbështetjes së Ministrisë së Kulturës kalon vlerën 200 mijë euro. Ai theksoi zotimin e Ministrisë së Kulturës për ta zhvilluar infrastrukturën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Ministria e Kulturës është financues i këtyre projekteve, për sallën sportive e cila është në fazën përfundimtare. Në përmbylljen e këtij projekti i cili ka zgjatur më shumë se 9 apo 10 vite dhe ky ka qenë problem i trashëguar dhe jo për faj të komunës dhe ndoshta edhe për neglizhencë të Ministrisë së Kulturës në të kaluarën”, tha Gashi.
“Ne jemi zotuar që ta përmbyllim këtë projekt me një afat rekord, në mënyrë që qytetarëve të Shtimes dhe sportistëve t’iu dhurojmë këtë objekt të bukur për të zhvilluar lojëra të ndryshme. Gjithashtu jemi dakorduar të nënshkruajmë edhe një memorandum tjetër, i cili ka të bëjë me fushën e futbollit, i cili është një projekt i përbashkët, të cilin një pjesë do ta financojmë ne Ministria e Kulturës dhe pjesën tjetër komuna e Shtimes”, shtoi kreu i MKRS-së.
Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, e falënderoi ministrin Gashi për vizitën dhe për këto investime që po bëhen.
“Natyra e takimit ishte nënshkrimi i dy memorandumeve. E para ka të bëjë me finalizimin e punëve në Palestrën e Sportit në komunën e Shtimes dhe memorandumi i dytë ishte i fokusuar në funksionalitetin e plotë të stadiumit të qytetit. Ne gjithashtu diskutuam edhe për projektet e ardhme në komunën tonë dhe në emër të komunës së Shtimes e falënderoj ministrin Gashi për gatishmërinë që ka, që sa më shpejt t’i përfundojmë këto projekte, të cilat janë shumë me interes për qytetarët dhe njëkohësisht e falënderoj për angazhimin që në vazhdimësi e ka përkrahë komunën tonë”, tha Ismajli.
Ai falënderoi për projektin e fushës së futbollit dhe bashkatdhetarët Avdi Sadiku, Besart Abazi e Jetmir Mani. “Merita e këtyre bashkatdhetarëve është për stadiumin me barë sintetik. Bashkatdhetarët tanë po tregojnë edhe njëherë modelin e bashkëpunimit mes diasporës dhe institucionit të Komunës, gjithmonë duke pasur parasysh interesin e qytetarëve të Shtimes”, u shpreh kreu i Komunës së Shtimes.