Gastronomët të pakënaqur, thyejnë pjata para qeverisë

Prishtinë | 20 Sht 2020 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Duke thyer pjata para objektit të Qeverisë së Kosovës, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka shprehur pakënaqësitë për mospërkrahjen financiare nga institucionet.

Ata po ashtu kanë kërkuar edhe shfuqizimin e masave ndaj gastronomisë.

Përmes këtij aksioni, kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi u bërë thirrje edhe gastronomëve të tjerë të Kosovës që t’i bashkëngjiten protestës më 25 shtator në sheshin ‘Skenderbeu’, para Qeverisë së Kosovës.

“Përmes këtij akti simbolik po shprehim pakënaqësitë tona ndaj mospërkrahjes financiare nga institucionet e Kosovës si dhe mos shfuqizimin e masave ndaj gastronomisë. Po ashtu, iu bëjmë thirrje gjithë gastronomëve që t’i bashkëngjiten këtij aksioni simbolik, e po ashtu edhe protestës më 25 shtator në ora 14:00, para Kuvendit dhe Qeverisë”, tha Kllokoqi.

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Kafenetë dhe restoranet në Kosovë funksionojnë vetëm deri në orën 22:30 në mbrëmje, masë kjo e vendosur nga qeveria për shkak të pandemisë./Rel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme