Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizime të veprimtarisë së gastronomisë, pas rritjes së rasteve me Covid-19 ka qenë i pritur dhe këto masa do ta dëmtojnë ekonomikisht këtë sektor, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Shpat Hashani ka thënë se vendimet nga Qeveria, kanë dalë ndryshe nga ato që kanë diskutuar në takimin e mbajtur me ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Duke parë që numrat janë rrit ne e kemi pritur një vendim pak a shumë të tillë. Kemi qenë në takim edhe me ministrin e shëndetësisë ku na u kanë treguar disa nga masat që kanë me i marr, por pas takimit me neve ata kanë ndryshuar dhe duke parë që numrat edhe më shumë janë rrit kanë marr vendim që me i ndal edhe sallat e dasmave ku në takimin e parë kanë qenë të lejuara, por tani kanë marr vendim me i mbyll ato”, është shprehur ai.
Për Hashanin masat e dala nga vendimi i Qeverisë do ta dëmtojnë këtë sektor si ekonomikisht ashtu edhe psiqikisht.
“Tash për neve, normal që për Gastronominë deri tash asnjë vendim nuk ka qenë i lehtë dhe kanë qenë vendime të rënda, në aspektin ekonomik dhe ashtu psikik, por në momente të tilla ne duhet të pajtohemi me vendime të tilla për shkak se edhe ne jemi pro shëndetit të qytetarëve”, ka shtuar ai.
Hashani është shprehur se përkundër se që nga fillimi i pandemisë ka pasur sanksione për gastronominë, nga ana e Qeverisë nuk ka pasur asnjë ndihmesë apo lehtësirë.
“Humbjet gjithmonë kur ka kufizime të tilla shfrytëzimi i hapësirave të brendshme me 50 për qind të kapacitetit dhe 70 për qind të kapacitetit në terrasa dhe kufizimi i orarit luajnë rol në humbje të bizneseve të Gastronomisë”.
“Tash humbjet më të mëdha i kanë edhe diskotekat, klubet e natës e sallat e dasmave që mbyllen totalisht. Normalisht deri tash e një vit e gjysmën me këto kufizime e pandemi asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë ndihmë nga shteti por vetëm kemi hasë në këto kufizime dhe asnjëherë lehtësime për neve bizneset”, ka përfunduar ai për EO.