Vështirësitë ekonomike, izolimi dhe lëvizja e kufizuar, të shkaktuara nga pandemia e virusit COVID-19, kanë rritur numrin e rasteve të dhunës në familjet e Komunës së Pejës. Vetëm dy muajt e parë të gjendjes emergjente, mars dhe prill, që njihen si muaj të pandemisë, janë dyfishuar rastet e dhunës në familje, konkretisht ndaj femrës, krahasuar me dy muajt e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Policisë në Pejë, në muajin mars dhe prill të vitit të kaluar kanë qenë 14 raste të dhunës në familje në Komunën e Pejës, kurse në të njëjtën periudhë të këtij viti janë raportuar 27 raste të dhunës në familje. Rritjen e dhunës në familje e konfirmoi Ardita Bala, drejtoreshë e Qendrës për Mirëqenie të Gruas në Pejë. Disa gra që gjatë kohës së pandemisë kanë përjetuar dhunë në familje, janë strehuar në këtë qendër në Pejë, që njihet si “Shtëpia e sigurt”, raporton KOHA.
“Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet ka më shumë raste të dhunës në familje. Nëntë gra për katër muaj kemi strehuar në qendrën tonë. Por shpresojmë që ky numër të mos rritet”, ka thënë Bala.
Policia e Kosovës tregon sesi disa nga viktimat nuk pranojnë të vendosen në strehimore.
“Gjatë periudhës janar – prill të vitit 2020 në zonën e Stacionit Policor – Pejë janë raportuar 63 raste të dhunës në familje. Në shumë raste viktimat kanë qenë femra. Numri i madh i tyre nuk kanë pranuar të shkojnë në strehimore, por shkojnë tek familjarët e tyre të ngushtë, kryesisht kthehen te prindërit. Një numër i vogël prej tyre kthehen sërish në shtëpi të tyre”, thotë zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.
Mirëpo, në mesin e 63 rasteve të raportuara, jo të gjitha viktimat kanë qenë të gjinisë femërore. Gashi tregon se në rreth 40 për qind të rasteve viktima kanë qenë meshkujt. Në të dhënat e policisë nuk saktësohet se kush ka ushtruar dhunën.
Se më herët nuk janë raportuar në këtë numër raste të dhunës në familje ndaj mashkullit e pranon edhe Ardita Bala, drejtoreshë e Qendrës për Mirëqenie të Gruas në Pejë, në të cilën qendër strehohen vetëm gra dhe fëmijë të grave viktima të dhunës. Ajo personalisht thotë të mos jetë marrë me viktimat meshkuj të dhunës në familje.
“Kjo dhunë ndaj mashkullit në familje më herët nuk ka qenë e shprehur në numër kaq të madh si tash. Por kemi vërejtur se vitet e fundit po raportohet edhe dhuna e ushtruar ndaj mashkullit, zakonisht vëllai ndaj vëllait ose djali ndaj babës”, thotë ajo.
Punëtorja sociale në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, psikologia Florie Vishaj, tregon se ata zakonisht ftohen nga gjykata dhe policia kur kërkohet të strehohet ndonjë grua viktimë e dhunës. Por jo edhe për raste të dhunës ndaj mashkullit.
“Viktimat meshkuj të dhunës nuk ke ku t’i strehosh në Pejë, se nuk ka strehimore të veçantë për meshkuj viktima të dhunës, sikur që ka për femra. Përveç fëmijët meshkuj të mitur që strehohen me nënat e tyre në shtëpia të sigurta”, bënë të ditur Vishaj.