Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për dhënien e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19. Administrimi i kësaj doze përforcuese do të fillojë të enjten.
Shumica e qytetarëve po e mirëpresin këtë vendim për vaksinim.
Virtyt Gacaferri për Ekonomia Online tha se cilado vaksinë të vijë ai shprehë gatishmërinë që të vaksinohhet me dozën e tretë.
“Ma mirë është me marr vaksina sesa një kerr barna edhe ma lirë edhe ma sigurt. Po ne i kemi besu vaksinave. Na jena konsumuesi ma i madh i antibiotikëve në Evropë në Kosovë, mbyten tu marr antibiotika i lypin mjekut antibiotika pa pas nevojë, e tash vaksina që është e rekomandume prej krejtve nuk don me marr, nuk e kuptoj”, deklaroi Gacaferri.
Edhe Aziz Salihu tha se i ka dy doza të vaksinave, dhe se do ta mërrë edhe dozën e tretë nëse duhet.
“E marr normal që e marr. Pse mos me marr. Mendoj se mirë është me marr nëse duhet. Kjo e treta mundet me na pshtu”, deklaroi Salihu.
Edhe një qytetare tjetër, Merrushe Zogaj, mendon se dozën e tretë të vaksinës duhet me marrë për shumë arsye. Ajo thotë se i bëson plotësisht mjekësisë.
“Supozohet edhe na thuhet që është e dobishme dhe gjithçka që është e dobishme duhet me pranu. Shkencës, mjekësisë i besoj plotësisht”, deklaroi Zogaj.
Kurse një qytetare tjetër, Drita Rexhepi, thotë se nuk e ka marrë asnjë vaksinë për arsye se nuk i beson.
“Nuk i besoj për shumë arsye edhe për shkak të përvojës time shëndetësore dhe ende nuk e din askush çka përmban ajo vaksinë. Në bazë të asaj çka kam lexu flitet ndonjëherë që është virus mandej thuhet që është baktere, s’po dihet as çka është. Pikërisht për shkak që nuk na kanë ofru të dhënat edhe informatat e sakta lidhur me vaksinën, unë nuk jam për vaksinë, as nuk e marr”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se edhe nëse vaksina bëhet e detyrueshme ajo përsëri nuk e merr vaksinën e se më shumë i beson natyrës.
“Jam plotësisht e vetëdijshme që nuk mund ta shfrytëzoj edhe pse jam pensioniste. Nuk muj ta shfrytëzoj autobusin, domethënë as me shku nëpër lokale se duhet patjetër me vërtetu që kam vaksinën, unë nuk e kam. Po unë ma shumë i besoj natyrës, në kuptimin alternativ sesa kimisë.”