Trajneri i Napolit, Gennaro Gattuso shpreson që futbollistët e tij të mos frikësohen kur të përballen me Barcelonën të martën mbrëma në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Për Gattuson do të jetë ndeshja e parë në Ligën e Kampionëve si trajner i Napolit.
Gattuso shpreson të shoh një Napoli më ndryshe të martën. Napoli është në një krizë të rezultateve në Serie A.
“Ne do të luajmë kundër një skuadre të madhe”, ka thënë Gattuso në konferencë për media
“Falënderoj skuadrën dhe Carlo Ancelottin, pasi unë nuk kam bërë asgjë për të arritur këtu. Emocionet ekzistojnë, por ato largohen. Unë dua nesër një Napoli që nuk ka frikë. Në ‘San Paolo’, me përjashtim të ndeshjes kundër Juventusit, nuk kemi treguar ndeshje të mëdha. Nesër dua një skuadër që di si të vuajë. Pas ardhjes së Quique Setienit, Barcelona po bën atë që ka bërë me vite. Me Ernesto Valverden, lojtarët e Barcelonës kthenin topin dhjetë sekonda pasi e humbnin, me Setienin po i duhen gjashtë sekonda. Ne duhet të luajmë një ndeshje të madhe në dy fazat, pasi Barcelona do të vijë të na sulmojë”.
Gattuso ka thënë se është i impresionuar nga kapiteni Lorenzi Insigne, por ai ka shtuar se 28-vjeçari mund ende të përmirësohet si lider.
“Insigne sikur ka motor, përshkon në çdo ndeshje nga 12 kilometra. Ai nuk e ka trupin për këtë, por e kompenzon dhe është shumë intelegjent në aspektin taktik.. Ai duhet të përmirësohet. Kapiteni duhet të jetë konsistent në atë që bën, duhet të përëmirësohet si kapiten. Ai nuk duhet të flas vazhdimisht, por të flas pak dhe të jap shpirt. Ai më ka befasuar, është shumë intelegjent në fushë, mëson shumë shpejt”, ka thënë Gattuso.
Gattuso thotë se duhet luftuar si skuadër për të pasur gjasa ndaj Barcelonës të martën.
“Unë dua të shoh një skuadër të gjallë që luan me lumturi deri në fund. Kam lexuar nëpër mediume se do të bëjmë mbrojtje të fortë në Messin. Por, nuk është vetëm ai. Messi është një shembull për fëmijët që ta ndjekin, ai kurrë nuk ka thënë ndonjë gjë të papërshtatshme. Nuk është i madh vetëm në aspektin e futbollit, por edhe në jetën e përditshme. Ai bën gjë që sheh vetëm në Playstation, gjëra që nuk mund të imagjinosh. Ai ka qenë më i miri për shumë vite tash”, ka shtuar Gattuso.