Ka kaluar pothuajse një muaj që nga dita e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, mirëpo ende nuk ka ndonjë shkëndijë për formimin e institucioneve.
Ndonëse të drejtën për formimin e Qeverisë e ka koalicioni PAN, pasi që ka fituar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, të njëjtit ende zyrtarisht nuk kanë siguruar 61 vota për formimin e institucioneve, pjesë e të cilëve janë edhe minoritetet.
Por, zëra brenda koalicionit fitues po qarkullojnë se PAN ka më shumë se 61 vota, sepse do kenë përkrahjen e disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, një gjë të tillë e mohon fuqishëm Lidhja Demokratike e Kosovës.
E ditën që do të votohet në Kuvend për kryeministër kandidati i PAN-it, Ramush Haradinaj, LDK nuk planifikon ndonjë skenar për parandalimin e kësaj ngjarje. Sipas tyre, ata do inskenojnë çdo situatë për të arritur qëllimin e tyre.
Besa Gaxherri nga ky subjekt politik tha (duke qeshur) se LDK nuk ka në mendje asnjë skenar kur të vijë ajo ditë. Sipas saj, PAN dhe LDK kanë punë, qëllime dhe qëndrime të ndara dhe nuk kanë asgjë të përbashkët.
“Ne si Lidhje Demokratike nuk kemi planifikua kurrfarë skenari për ditën që kandidati i PAN-it, Ramush Haradinaj, të votohet për kryeministër. Ne nuk kemi fare kohë me u marr me kandidatin e PAN-it. Ata i kanë punët e veta, ne punët tona, ata kanë qëllimet e veta, qëndrimet e veta, dhe nuk kemi fare, ama bash fare të përbashkëta”, tha Gaxherri.
E pyetur nga Indeksonline se nëse ndodh që deputetët e LDK-së ta votojnë Haradinajn për kryeministër, Gaxherri u shpreh se nuk ka deputetë të LDK-së që do votojnë dikë tjetër për kryeministër, pos atij të LDK-së.
“LDK është shumë e bindur se nuk ka deputet nga Lidhja Demokratike të Kosovës që do të votojë kryeministër tjetër përveç atij të LDK-së. Ne s’mundemi me parashikua, me lujt rolin e Kasandrës se çka mund të ndodhë, ata që i kanë inskenuar te gjitha gjanat edhe zgjedhjet edhe kanë pru vendin deri këtu ata munden me parashikuar se çka ka me ndodhë, por LDK nuk mundet me pas as me parashiku që ka deputet të LDK-së që mund ta votojnë këtë koalicion. Kështu që ne as s’kemi nevojë as me mendu çfarë masash me marrë as nuk jemi të interesuar fare me bashkëpunu me PAN-in”, u shpreh Gaxherri.
Tutje, Gaxherri shtoi se LDK nuk mund të sigurojë e as të garantojë për të gjithë deputetët sepse janë në koalicion me dy subjekte tjera. Por, sipas saj, LDK nuk është komuniste dhe as nuk e mendon opsionin se deputetët e tyre do votojnë kandidatin e PAN-it.
“Ne jemi koalicion me dy subjekte tjera politike që nuk mund të garantojmë jo vetëm për këto dy subjekte po as për krejt deputetët, ne nuk jemi në sistemin komunist por jam shumë e sigurt dhe LDK-ja që deputetet tanë nuk ka që do të votojnë deputet tjetër përveç nëse është nga LDK-ja”, shtoi tutje Gaxherri.