Gazeta e Vatikanit: Pse Shqipëria rrezikon krizën e ’97-ës

Prishtinë | 24 Mar 2019 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

“L’Osservatore Romano”, gazeta zyrtare e Vatikanit i ka kushtuar një tjetër artikull situatës politike në Shqipëri. Ndërsa përshkruhet gjithçka ndodh ditët e fundit, gazeta thotë se deri më tani, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, palët nuk kanë gjetur rrugën e dialogut, ndërsa rreziku për një tjetër ’97 është i madh.

SHKRIMI I PLOTË

Prej muajsh situata politike në Shqipëri vijon të jetë e tensionuar dhe zjarri ndizet herë pas here. Përplasja mes qeverisë dhe opozitës është radikale dhe nuk kursen as sheshet. Kriza ekonomike bën që “kafshimet” të ndjehen në një vend me një histori të trazuar, përveç saj kriza sociale dhe morale mban në litar Shqipërinë, vendin ku grupet rivale politike nuk e njohin legjitimitetin e njëri-tjetrit dhe ku dyshimi i një lidhje midis interesave të paligjshme dhe pushtetit është shumë i fortë tek popullsia, e cila ndërkohë ndjen gjithnjë e më shumë varfërinë.

Javët e fundit, opozita e përfaqësuar nga lideri liberal Lulzim Basha dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, ka kundërshtuar fuqishëm qeverinë. Por gjithashtu po proteston edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), partia e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Në javët e fundit PD dhe LSI kanë arritur në pikën që deputetët e tyre të lënë mandatet në shenjë proteste. Megjithatë, braktisja e parlamentit u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Qeveria përfaqësohet nga kryeministri socialist Edi Rama. Partitë e opozitës dhe protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme. Akuzat kundër qeverisë së Ramës lidhen me afërsinë e tij me organizatat kriminale dhe biznesmenët. Një skandal u shënua verën e kaluar, kur u zbulua që qeveria lejoi devijimin e projektit të lumit të Tiranës, Lanës, për të lejuar një oligark kontrovers të ndërtonte një kompleks rezidencial luksoz. Që nga vjeshta e kaluar ka pasur disa demonstrata ku janë sulmuar ndërtesat e qeverisë.

Protestat e ditëve të fundit fokusohen tek akuzat ndaj qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve, shtoi faktin se partia në pushtet është- sipas akuzave – e ndikuar fuqishëm nga trafikantët që e bënë Shqipërinë një bazë solide për trafikun e drogës në Evropë. “Arsyeja themelore për protestat – deklaroi ish kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-president dhe kryeministër për 13 vjet – është shkelja masive e rregullave zgjedhore të denoncuara nga bashkësia ndërkombëtare në raportin e OSBE-së për të cilat në 20 për qind të rasteve u ble vota. Janë shfaqur përgjime nga të cilat rezulton se grupet kriminale në rrethe rezultojnë të kenë blerë vota dhe të kenë imponuar rezultate të caktuara në zgjedhje “. Në disa rrethe kishte më shumë vota se sa votues, por në fund vëzhguesit çertifikuan vlefshmërinë e zgjedhjeve.

Për momentin gjetja e një rrugëdaljeje duket shumë e komplikuar. Demonstruesit argumentojnë se ata nuk do të ndalen derisa kryeministri të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri kalimtare për të menaxhuar zgjedhjet. Nga ana e tij, kryeministri Rama foli për gatishmërinë për dialog por përjashtoi kategorikisht mundësinë e “ndërprerjes së një mandati legjitim”. Ndërkohë, në këtë klimë të opozitës frontale, zgjedhjet lokale janë planifikuar për në qershor, të cilat mund të kenë një efekt tjetër detonues. Për më tepër, në qershor pritet edhe përgjigjja nëse vendi do pranohet apo jo në Bashkimin Evropian.

Shqetësimi është shumë i madh përballë një krize të ngjashme me vitin 1997, kur vendi ra në kaos dhe anarki. Tani kohët kanë ndryshuar, por kontradiktat mes palëve politike janë shumë të mëdha. Për Radio Vatikanin, Kryepeshkopi Metropolitan i Tiranës-Durrës dhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, Monsinjor George Frendo, argumentoi se: “Situata në Shqipëri është tragjike, për fat të keq nuk ka dialog mes partive politike. Ndoshta është pak a shumë faji i të gjithëve: Që të ketë dialog duhet vullneti i mirë i të gjithëve. Dialogu është e vetmja rrugë për një zgjidhje të drejtë “. Bashkimi Evropian gjithashtu nënvizoi urgjencën e rindërtimit të një platforme kombëtare ku palët mund të përballen dhe të dialogojnë në interesin më të mirë të vendit.

Duhet të kihet parasysh se kancelaritë ndërkombëtare nuk i konsiderojnë akuzat për keqbërje dhe bashkëpunim të ashpër kundër qeverisë të pabazuara, por ata janë edhe më të shqetësuar për rrezikun e paqëndrueshmërisë në një vend delikat në zemër të Ballkanit, i cili tashmë është bërë anëtar i NATO-s dhe po i afrohet me shpejtësi Bashkimit Evropian. Nëse, pra, udhëheqësit politikë, ndoshta të mbështetur nga institucionet ndërkombëtare, nuk arrijnë të gjejnë një mënyrë për të hapur një dialog serioz dhe konstruktiv, situata mund të shohë një përkeqësim të shpejtë./lapsi.al/

Të ngjashme