Një grup gazetarësh investigativ nga Serbia janë duke planifikuar të vijnë në Kosovë. Qëllimi i tyre është hulumtimi i vrasjes së ish politikanit serb nga Veriu, Oliver Ivanoviç.
Sasha Mirkoviç dhe Goran Markoviç janë producentët kryesor të këtij emisioni.
“Për shkaqe sigurie, nga kolegët gazetarë jemi këshilluar që ne si ekip të vendosemi në Graçanicë ose në Prishtinë. Kjo sepse strukturat kriminale të lidhura me SNS e Vuçiqit paraqesin rrezik për ne”, tha Sasha Mirkoviç.
Sipas Mirkoviçit, ekipi hulumtues do të intervistojë shumë persona dhe personalitete politike në Kosovë, shkruan Indeksonline.
“Do të intervistojmë familjarë, fqinjë, dëshmitarë, policë, prokurorë, politikanë dhe çdo person që mund të jetë me interes”, tha Mirkoviç, duke shtuar se “edhe ekspertë të delikteve të gjakut do t’i intervistojnë”.
Ai ka thënë se është për çudi heshtja dhe mos reagimi i regjimit në Beograd, edhe pse gishti është drejtuar te disa kriminelë lokalë të SNS-së (Lista SRPSKA) në Veri të Mitrovicës.
Përndryshe, mediet e Beogradit e kanë akuzuar Sasha Mirkoviçin që së bashku me CIA-n, nga Shkupi po organizojnë rrëzimin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.