Në një intervistë në emisionin “HARDtalk” në BBC, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u sfidua nga gazetari me pyetjet rreth Kosovës dhe lidhjet e Serbisë me Rusinë.
Ndër to, gazetari i BBC-së e pyet Vuçiqin: “A besoni që ka rrezik real për një luftë të re bazuar në armiqësinë tuaj, në armiqësinë e Kosovës?”.
Në përgjigje, Vuçiq pretendoi se qëndron për paqen dhe se fokusi i tij është e ardhmja dhe jo e shkuara.
“Nëse më pyesni nëse kjo nuk është thjesht një lloj loje politike apo argumenti politik, unë besoj në paqe, ne nuk po provokojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë këtë dhe jam shumë i kënaqur me zhvillimin tonë ekonomik. Serbia është një ndër dy-tri vendet me normën e rritjes më të madhe në të gjithë Europën.
Vuçiq më pas iu drejtua gazetarit të BBC-së se Beogradi ka ndryshuar shumë dhe se ai s’mund ta njohë.
Duke lavdëruar GDP-në e Serbisë dhe eksportet krahasuar me Ballkanin Perëndimor, Vuçiq tha: “Këto janë ëndrrat e mia, ëndrrat e mia janë Expo 2027, ëndrra ime është të përmbushim të gjitha kriteret deri në fund të vitit 2026. Kjo është për çka jam fokusuar. Ju më dërguat prapa në të kaluarën sepse juve ju nevojitet të keni diskutime të vështira siç është i emëruar shou juaj dhe nuk kam asgjë kundër, por unë jam i fokusuar në reforma ekonomike, në të ardhmen”.
Vuçiq pretendoi se dëshiron “vetëm” marrëdhënie të rregullta dhe normale me të gjithë në rajon “dhe kaq”, raporton Gazeta Express.