Gazetari Mema nderohet me çmimin “Hasan Prishtina”, Haradinaj flet për bashkim dhe forcim të shqiptarëve

Prishtinë | 25 Nën 2017 | 20:15 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta ka ndarë çmimin “Hasan Prishtina” për gazetarin Marin Mema, realizues i një sërë dokumentarësh për shqiptarët, nëpërmjet të cilëve ka arritur që të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, në ndalimin e asimilimit dhe ikjes së mëtejme të shqiptarëve nga trojet e robëruara dhe zbardhjen e historisë së shqiptarëve në viset tona.

Në ceremoninë e organizuar nga kjo shoqatë, sonte në Prishtinë, merrte pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se Mema është njëri prej të rinjve shqiptarë që nuk kanë përtuar të gjurmojnë historinë e shqiptarëve.

“Përmes nderimit për Marin Memën, ne nderojmë secilin që punon që shqiptari të dalë në dritë, ajo e sotmja, ajo në atdheun tonë dhe kudo që janë”.

“Duke qenë kështu uroj që shqiptarët në trojet tona të forcohemi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Maqedoni, Luginë të Preshevës, kudo që jemi dhe uroj që në trojet tona të bashkohemi me vëllezërit tanë shqiptarë në të gjitha kohërat”, theksoi kryeministri.

Çmimin për gazetarin shqiptar, Mema, e ndau kreu i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta, Jahja Lluka.

Lluka foli rreth historikut të formimit të kësaj shoqate, fillimisht në Pejë në vitin 1990. Më pas, ai tregoi se shoqata u zgjerua dhe në trojet tjera shqiptare. Ai tha se çmimi “Hasan Prishtina” ka në bazën e tij dhimbjen e popullit tonë dhe krenarinë e luftën për liri.

“Sot është një ditë e veçantë, sepse çmimi ‘Hasan Prishtina’ po ndahet në vigjilje të festës sonë kombëtare Ditës së Flamurit dhe Marinin e përgëzoj për gjithë punën që ka bërë në të gjitha trojet shqiptare. Ai i ndoqi gjurmët e historisë, por e informoi opinionin për gjenocidin dhe përpjekjet që tokat shqiptare po tkurren vazhdimisht”, u shpreh Lluka.

Marin Mema, si gazetar i televizionit “Top Channel”, me emisionin e tij ”Gjurmë shqiptare” ka realizuar me sukses tema shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.

“Për mua ky çmim ka një rëndësi të dyfishtë: ai mban emrin e njërit nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar – Hasan Prishtina”.

“Dhe e dyta, ky është një detyrim për të ardhmen, për të ecur përpara dhe për të sjellë sa më shumë të vërteta historike. Ato nuk janë thirrje për hakmarrje, por janë një thirrje për të mos harruar, për të kujtuar mijëra shqiptarë nga veriu në jug, që nuk mund të rikthehen në tokat e tyre”, u shpreh ai.

Pasardhësi i atdhetarit të madh, Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, tha se nderimi që po i bëhet gazetarit Mema është vetëm një vazhdimësi e denjë e kësaj shoqate, që me dekret të presidentit është nderuar edhe me urdhrin “Nderi i Kombit”.
“Të nderosh Marinin do të thotë të nderojmë veten, të shkuarën tonë, gjurmët tonë. Marini doli përtej guximit të politikanëve dhe jo vetëm që foli por edhe na solli të dokumentuar gjurmët shqiptare kudo në trojet e Shqipërisë së vjetër”, u shpreh ai.

Me këtë rast. Para të mbledhurve në “Sheshin 21” në Prishtinë u shfaq dhe një përmbledhje e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina” ndër vit, si dhe një përmbledhje nga veprimtaria e gazetarit Marian Mema.

Në arsyetimin e Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta për ndarjen e çmimit thuhet se Marin Mema është realizuesi i një sërë dokumentarësh për shqiptarët në Sanxhakun e Serbisë, gjurmët e historisë për zonat dhe fshatrat e shqiptarëve në Greqi (Çamëri), Maqedoni, Sarajevë, Bosnje, Ulqin, Plavë dhe Guci, Rekë, Dibra e Madhe, nga komunitetet shqiptare në SHBA, Itali, Greqi, Maqedoni, Mal të zi, Serbi, Turqi.

“Në fokus të dokumentarëve dhe reportazheve kanë qenë këto tema, nëpërmjet të cilave, Mema ka arritur që të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, në ndalimin e asimilimit dhe ikjes së mëtejme të shqiptarëve nga trojet e robëruara dhe zbardhjen e historisë shpesh të dhimbshme por krenare të shqiptarëve në viset tona”.

“Marin Mema ka arritur gjithashtu që të zbardhë dokumente nga arkiva të ndryshme për heronj e veprimtarë të ndryshëm shqiptarë të kohëve të ndryshme. Motivet e fuqishme kombëtare, humane e fisnike të Memas, karakteri i tij fisnik dhe i pandalshëm përball pengesave nga shtetet fqinje, e bëjnë një prej figurave më të fuqishme në gazetarinë shqiptare sot. Duke u bazuar në të gjitha sa u cekën më lart, Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta, me seli në Prishtinë, Marian Mema, e ngrit në vendin më të lartë të mbrojtjes së historisë dhe vlerave tona kombëtare duke i ndarë çmimin ‘Hasan Prishtina”, theksohet në arsyetimin e kësaj shoqate.    

 

Të ngjashme