Gazetari Sadiku që u përjashtua nga UEFA: Askush nuk do mund të ma ndalojë festën me shqiponjë

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Gazetari i sportit, Arlind Sadiku, ka publikuar fotografi nga Hamburgu gjatë ndeshjes Shqipëri-Kroaci derisa thotë se askush nuk mund t’ia ndalojë festën me shqiponjë.

Në reagim, pas vendimit të UEFA-s për përjashtim nga Kampionati Evropian, Sadiku thotë se festa me shqiponjë nuk guxon të trajtohet si vepër kriminale.

Ai ka thënë se përjashtimi i tij nga UEFA është një precedent i rrezikshëm dhe kërkon nga institucionet shtetërore shqiptare të reagojnë

“Festa me shqiponjë asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vepër kriminale! Nuk kam ofenduar as provokuar dikë. Thjesht jam krenuar me simbolin që na përfaqëson. Unë jam krenar që jam shqiptar dhe asnjëherë nuk frikësohem ta deklarojë këtë edhe nëse krejt bota çohet në këmbë. Është një precedent i rrezikshëm nëse pranohet si i mirëqenë ky vendim nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore, sepse hap një kapitull të ri”.

“Bëje simbolin e shqiponjës e raporto thirrjet raciste ndaj një populli të tërë – përjashtohesh, e hap rrugë për huliganët e një populli tjetër të bëjnë lirshëm thirrje fashiste. Çka do të ndodhë pas pak kohësh kur do të organizohet evropiani mes Shqipërisë me Serbinë? Do të përjashtohen të gjithë ata që janë në detyrë dhe e ngrisin shqiponjën? Do ta pranoni këtë vendim? Ju duket i drejtë? Fqinjët u mobilizuan dhe u alarmuan shpejtë për ta raportuar veprimin tim, sepse ndihen të rrezikuar nëse del një shqiptar dhe nuk frikësohet të thotë të vërtetën me krenari”.

“Ata janë gëzuar dhe e festojnë këtë ngjarje si fitore, ndërsa kushdo nga ne që i gëzohet, është prej tyre. S’ka rëndësi a jam përjashtuar apo jo, karriera ime është shumë e vogël. Nuk është humbje e Arlind Sadikut, as e një gazetari, është humbje shtetërore e kombëtare, nëse heshtet. Sot jam në Hamburg në përkrahje të kombëtares nga tribunat, me tifozët. Me krenari festoj përsëri me shqiponjë dhe askush nuk do mund të ma ndalojë deri në vdekje!”, shkruan Sadiku.

Të ngjashme