Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor ish-deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në nëntor të 2015-ës, duke i dënuar me nga një vit burgim me kusht (secilin veç e veç).
Aktgjykimi ndaj Shalës dhe Kurteshit u shpall të premten nga gjykatësi Eroll Gashi.
Sipas këtij vendimi, dënimin në fjalë, Kurteshi dhe Shala nuk do ta mbajnë nëse në afat prej dy vitesh nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
Gjykata i obligoi ata edhe me shpenzimet e procedurës secilin veç e veç në shumë prej 50 euro dhe për kompenzimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.
Ndërsa, lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrare” është arritur parashkrimi, andaj për këtë është refuzuar aktakuza konform nenit 363, par.1, nenpar.1.3 të Kodit të Procedurës Penale. Andaj, u refuzua akzakuza për pikën 2 dhe 3.
Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por më pas lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.
Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala akuzoheshin se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.
Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.
Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375, par.1 të KPRK-së.
Kurteshi dhe Shala ngarkoheshin edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohej se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, Kurteshi akuzohej se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.
Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.