Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) përmes një telegrami ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të basketbollistit, Gazmend Sinani u ka shprehur ngushëllime familjes së tij, Federatës së Basketbollit të Kosovës, miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit.
Në telegram përveç tjera thuhet se Gazmendi si një profesionist i vërtetë, arriti që me punë dhe vullnet të madh të lë gjurmë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
Telegrami i plotë i Komiteti Olimpik të Kosovës:
E nderuara familje Sinani, e nderuar FBK
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen nga jeta të basketbollistit të Kombëtares së Kosovës, Gazmend Sinani.
Basketbolli dhe sporti i Kosovës në përgjithësi humbi jo vetëm një sportist të shquar, që dha kontribut të çmuar për basketbollin kosovar, por edhe një djalë të dashur dhe të respektueshëm nga të gjithë.
Gazmendi si një profesionist i vërtetë, arriti që me punë dhe vullnet të madh të lë gjurmë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
Ndarja e hershme e tij nga jeta, pikërisht në ditëlindjen e tij, do të lë mangësi të mëdha tek brezat e tij, për të cilët ishte idhull se si me punë arrihet deri tek suksesi.
Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së tij, Federatës së Basketbollit të Kosovës, miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit.