Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka reaguar pas deklaratave të ekspertit për qeverisje lokale, Besnik Tahiri, i cili para disa ditësh ka deklaruar se përgjatë vitit 2016 nuk ka pasur asnjë ndryshim substancial si në rregullat-ivën qeverisëse ashtu edhe në promovimin e zhvillimit lokal.
Mirëpo, më këto deklarata nuk po pajtohet, Gecaj i cili thotë se pikërisht avancimi i vetëqeverisjes lokale ka qenë një nga prioritetet e qeverisë për këtë vit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në vitit 2016 vazhdon të jetë e përkushtuar të krijojë politikat dhe zhvillimin e legjislacionit me qëllim të avancimit të vetëqeverisjes lokale. Në këtë kuadër ka vendosur orientimet strategjike 10 vjeçare për vetëqeverisjen lokale; po harton politikat e zhvillimit ekonomik lokal; zhvillimit regjional; dhe menaxhimin e pronës komunale”, ka shkruar Gecaj në Facebook.
Postimi i plotë i Gecajt:
AVANCIMI I VETËQEVERISJES LOKALE SI NJË NGA PRIORITETET E VITIT 2016
Ja disa nga argumentet e shumta të punës së palodhshme dhe mjaft efektive të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të artikuluara edhe në të përditshmen “Zëri”.
Miku im Besnik Tahiri, para disa ditësh kishte deklaruar: “…Popull i dash-tun, qeveri e kuvend, po ju rikujtoj që shkoi edhe 2016 pa asnjë ndryshim substancial si në rregullat-ivën qeverisëse ashtu edhe në promovimin e zhvillimit lokal..”
Më poshtë po paraqesë vetëm në vija të trasha disa nga të arriturat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) gjatë këtij viti, e të cilat nuk përkojnë fare me deklarimin e mësipërm:
Qeveria e Republikës së Kosovës në vitit 2016 vazhdon të jetë e përkushtuar të krijojë politikat dhe zhvillimin e legjislacionit me qëllim të avancimit të vetëqeverisjes lokale.
Në këtë kuadër ka vendosur orientimet strategjike 10 vjeçare për vetëqeverisjen lokale; po harton politikat e zhvillimit ekonomik lokal; zhvillimit regjional; dhe menaxhimin e pronës komunale. Ndërkaq, me qëllim të kompletimit të legjislacionit, po harton ligjin për statusin e Kryeqytetit dhe është në fazën përgatitore të ligjit për kufijtë administrativë, si dhe ka miratuar Rregulloren qeveritare për shqyrtimin administrativ të akteve komunale, duke kontribuuar kështu në forcimin e zbatimit të ligjshmërisë në komuna (nga 315 mbledhje të monitoruara, vetëm 2% e akteve komunale nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi).
Janë hartuar koncept-dokumentet për zhvillimin regjional, për zhvillimin ekonomik lokal, dhe për menaxhimin e pronës komunale. Janë miratuar gjithashtu akte tjera nënligjore si rregullorja për komitetet konsultative në komuna dhe udhëzimi administrativ për publikimin e akteve komunale.
Qeveria ka punuar ngushtë me institucionet relevante për të arritur unifikimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale. Katër komunat veriore kanë avancuar sistemin e komunikimit si dhe kanë bërë progres në funksionalizimin e organeve komunale. Në katër komunat është vendosur sistemi i “free balancit” (sistem unik i menaxhimit financiar për të gjitha institucionet publike në Kosovë).
Në proces është edhe sistematizimi i vendeve të punës, në kuadër të procesit të reformës së administratës publike, si një proces në të cilin po kalojnë të gjitha institucionet publike. Gjatë vitit 2016, kuvendet e këtyre komunave kanë vazhduar mbajtjen e mbledhjeve të kuvendeve ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (LVL), mbledhjet kanë qenë transparente dhe të hapura për publikun, po ashtu edhe ftesat për tu monitoruar këto mbledhje në MAPL, janë dërguar më kohë. Katër komunat kanë miratuar buxhetet për vitin 2017 si një proces të cilin e kanë kaluar edhe të gjitha komunat tjera të republikës së Kosovës. Deri në këtë periudhë ato kanë mbajtur 35 mbledhje.
Gjatë këtij viti në fokus ishte gjithashtu edhe hartimi dhe realizimi i programeve për edukimin e vazhdueshëm profesional për zyrtarët komunal. Janë dizajnuar mbi 15 module trajnimi, ndërsa në bashkëpunim me partnerët janë realizuar 40 trajnime (mbi 500 zyrtarë komunal kanë marrë pjesë në këto procese trajnimi).
MAPL, si dikaster përgjegjës për vetëqeverisjen lokale, koordinon edhe procesin e integrimeve evropiane me komunat, në raport me Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE), si një koordinator nacional i procesit të integrimeve evropiane. Në këtë kuadër, MAPL ka hartuar planet individuale për secilën komunë, ku përfshihen të gjitha detyrimet nga agjenda evropiane: procesi i stabilizim asociimit; procesi i dialogut të liberalizimit të vizave; si dhe adresimin e sfidave nga raporti i vendit. Sistemi i raportimit tremujor i monitorimit ka dhënë rezultatet e vetë në kuadër të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda evropiane.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes MAPL-së , me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve komunale, ka vendosur sistemin e menaxhimit të performancës së komunave (SMP). Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ka instaluar një sistem të tillë, sistem ky të cilin e kanë të vendosur shtetet e BE-së dhe SHBA-të. Në periudhën gjatë vitit 2016 është bërë rishikimi total i sistemit ekzistues, e që do të finalizohet dhe funksionalizohet i rishikuar në fund të këtij viti.
Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të krijimit të përmirësimit të infrastrukturës lokale, në vitin 2016, nga grandi i përgjithshëm për komunat, i cili është në vlerën e 420 milionëve, vetëm për investime kapitale ka dedikuar 120 milion euro.
Ndërkaq, nga bashkëfinancim me Instrumentin e Para Anëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian, vetëm për zhvillimin lokal janë paraparë 7 milion euro për fushën e arsimit në nivelin lokal (çerdhe, objekte parashkollore), si dhe 7 milion euro për përmirësimin e infrastrukturës lokale, e që ndikon në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e biznesit dhe turizmit. Sa i përket programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, (me IPA 2) për secilin program është paraparë vlera prej 4.2 milion eurosh.