Gecaj e quan ofenduese kërkesën e VV-së për koalicion

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 11:45 | Nga

Këshilltari politik i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj e ka quajtur ofenduese kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, se ata do të bënin koalicion me LDK-në vetëm nëse Isa Mustafa nuk do të ishte në krye të partisë.

Sipas Gecajt, një gjë e tillë do të ishte e papranueshme pasi sipas tij kërkesa është në kundërshtim me votat e anëtarësisë së gjerë të LDK-së.

“Lëvizja Anarkiste e Vetëvendosjes (LAV) po thotë se hynë në koalicion me ne por vetëm pa Isa Mustafën në kreun e LDK-së? Kjo përveç që është kërkesë ofenduese, gjithashtu është në kundërshtim me votat e anëtarësisë së gjerë të LDK-së, fal të cilave Mustafa është aty ku është. Për më shumë, kjo është edhe kërkesë krejt antidemokratike”, ka shkruar Gecaj në Facebook.

Gecaj ka shtuar se sipas tij LDK është shkollë e demokracisë, prej së cilës siç thotë ai anarkistët mund të mësojnë shumë.

“LDK është shkollë e demokracisë dhe prej saj si dhe prej Mustafa anarkistët mund të mësojnë shumë, por ja që anarkistët janë nxënës të pa zellshëm të cilët gjithmonë mungojnë në orët e politik-bërjes demokratike dhe shtet-ndërtimit”, ka përfunduar Gecaj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme