Genoveva Ruiz-Calavera merr pjesë në lansimin e programeve ‘Creative Europe’ dhe ‘Culture for Change’

Prishtinë | 27 Qer 2018 | 16:29 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Muzeun e Kosovës janë lansuar programet ‘Creative Europe’ dhe ‘Culture for Change’, me mbështetje të Bashkimit Evropian.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, e cila më herët ka punuar në Muzeun e Kosovës.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh e lumtur që po rikthehet sërish në këtë muze, por kësaj here si vizitore dhe po sheh rritjen e gjeneratave, raporton Ekonomia Online.

Calavera foli edhe për programin e bursave studentore “Erasmus +”, të cilin e vlerësoi  si shumë të rëndësishëm, bashkë me vizitat e studentëve evropianë në Kosovë dhe atyre kosovarë në vendet e BE-së.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se këto dy programe janë shumë të rëndësishme për rininë dhe kulturën.

Sipas Bytyqit, këto programe afrojnë të rinjtë kosovarë me Evropën, raporton EO.

“Sot është ngjarje e veçantë, po flasim për rininë kulturën. Realizimi i obligimeve tona ndaj rinisë është realizim i obligimeve ndaj shtetit. Këto programe po e afrojnë rininë drejt Evropës. Kërkohet angazhim siç po angazhohen njerëzit e zyrës së BE-së. BE po na jep mundësi dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë. Duhet të zotohemi që t’i shfrytëzojmë për t’u hapur të rinjve perspektivë evropiane”.

Zëvendësministrja Burbuqe Bakija – Deva tha se trashëgimia kulturore ka rëndësi të madhe. Ajo dhe Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, i kanë dhuruar zyrtares së Komisionit Evropian një kopje të Hyjneshës në Fron, të cilën Calavera tha se do ta ruajë me shumë nder.

Jeton Neziraj, nga qendra Multimedia, e cila do të implementojë këto programe, tha se janë planifikuar aktivitete të shumta kulturore gjatë tri vjetëve të ardhshme, në veçanti nëpër biblioteka me qëllim fuqizimin e rolit të tyre.

“Përmes programit kultura për ndryshim do të jemi aktivë edhe në terren. Në kuadër të këtij programi janë paraparë aktivitete kulturore në biblioteka gjatë tri vjetëve te ardhshme, për të fuqizuar rolin e bibliotekave”.

 

Të ngjashme