Steven Gerrard është i bindur se ish klubi i tij, Liverpool, do të vazhdojë serinë e mirë të rezultateve në Premierligë, duke i mposhtur rivalët e Manchester United të dielën në ‘Old Trafford’.
Skuadra e Jurgen Klopp është shfaqur favorite e hershëm në garën për titull, duke fituar tetë ndeshjet e para në Premierligë, për të mbajtur një distancë prej tetë pikësh me kampionët në fuqi, Manchester City.
Manchester United në anën tjetër, kanë regjistruar vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e para në Premierligë.
Në pyetjen nëse është koha e përsosur që Liverpool të takohet me Manchester United, Gerrard është përgjigjur: “Po. Liverpool do të fitojë”.
“Liverpool ka luajtur tetë ndeshje dhe ka tetë fitore. Treshja para janë në formë fantastike, në anën tjetër nuk janë duke pranuar shumë gola. Ata janë kampion të Evropës”.