Ministria e Punëve të Jashtme konsiderohet si një pikat më të forta të një qeverie, për shkak të barrës së ndërtimit të imazhit ndërkombëtar dhe përfaqësimit të diplomacisë nëpër shtetet ku veçse e kanë konsoliduar demokracinë e tyre.
Megjithatë, MPJD-ja e Qeverisë Kurti, në krye me Donika Gërvallën, përveç që nuk solli asnjë njohje e as aplikim në organizata ndërkombëtare përkundër mos-vazhdimit të moratoriumit nga ana e qeverisë kosovare, nxiti edhe momente gazmore.
As moratorium, as njohje, as anëtarësim
Arritja e besimit të pesë vendeve skeptike të unionit evropian nga ana e diplomacisë kosovare ka qenë emëruesi i përbashkët i kërkesave të akterëve ndërkombëtar, në mënyrë të arritjes së liberalizimit të vizave për qytetarët. Skepticizmi i vendeve të BE-së buron nga frika e valës së migrantëve nga Kosova. Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së kanë bërë thirrje në vazhdimësi në drejtim të institucioneve vendore për angazhim aktiv. Megjithatë, një thirrje e këtillë duket se hasi në vesh të shurdhër. Ministrja Gërvalla, kur u pyet se me cilat vende ka filluar hapjen e marrëdhënieve të reja diplomatike, përgjigja e saj ishte “tjetër herë”!
Institucionet qeveritare u dakorduan heshtazi që të mos e vazhdojnë marrëveshjen e moratoriumit, të arritur në kuadër të marrëveshjes së Washingtonit, e cila parasheh mos-lobimin për njohje të reja diplomatike dhe mos-aplikim në organizata ndërkombëtare për Kosovën. Megjithatë, janë bërë tre muaj që nga skadimi i kësaj marrëveshje dhe Kosova ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap diplomatik drejt njohjeve të reja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit.
Kosova aktualisht ka statusin e vendit kandidat potencial në raport me anëtarësimin e BE-së dhe ende nuk ka arritur ta fitojë statusin kandidat.
Në vazhdën e aplikimit në BE, Kurti, në vend të Gërvallës, ka kërkuar nga diplomatët ndërkombëtarë ndihmesë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pas largimit të Rusisë.
Ndër të tjera, është bërë kërkesë edhe për përshpejtim procedurash në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në NATO. Mirëpo, as kjo nuk është meritë e kryediplomates Gërvalla. Ishte Mehaj që e filloi gjatë një vizite që pati me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, duke vijuar deri tek biseda për të njëjtën çështje me ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, shkruan lajmi.net.
Huqjet gazmore
Nga llogaria e kryediplomates Gërvalla dhe ministrisë që udhëheq ajo kanë rrjedhur huqje të njëpasnjëshme.
Llogaria që udhëhiqet nga MPJD-ja, në një postim ngatërroi flamurin e Andorrës me atë të Moldavisë, ku urohej dita e pavarësisë së Andorrës.