Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se është çështje orësh ose ditësh kërkesa për rifreskimin e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit e filloi luftën në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti, raporton Ekonomia Online.
Gërvalla poashtu konfirmoi se janë duke punuar për të krijuar një fond për ndihmë humanitare në Ukrainë.
“Është punë orësh ose pak ditësh, derisa ta dorëzojmë kërkesën për miratim të Qeveri për rifreskimin e sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse dhe jemi duke shqyrtuar opsionin për të krijuar një fond të caktuar për ndihmë humanitare në Ukrainë përmes një shoqate humanitare nga Kosova që do të pajiste njerëzit në nevojë edhe me produkte vendore të Kosovës”, tha ajo.
Ndërsa u shpreh optimiste se viti 2022 do të jetë “interesant” për njohjet që mund t’i vijnë Kosovës, është shprehur ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ajo ka thënë se ka pasur iniciativa për njohje nga më shumë se një shtet, por ka refuzuar të flasë pa pasur zyrtarizime.
“Procesi është i mirë dhe i shëndoshë, dhe mua si ministre më bën optimiste që viti 2022 do të jetë interesant edhe në këtë aspekt”, ka thënë ajo duke shtuar se Kosova i ka kushtuar kujdes të veçantë çështjes së pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian.
Duke komentuar vendimet për blerjen e dy objekteve të ambasadave të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, Gërvalla ka thënë se Qeveria s’do që të paguajë qira të larta sikur deri tash.
Ajo ka paralajmëruar blerje të objekteve edhe në vende tjera, ndërsa përse janë zgjedhur këto dyja shtete, ministrja e Jashtme ka thënë se është bërë me qëllim të tregimit të seriozitetit të Kosovës në raport me SHBA-në dhe Britaninë.
“Jemi përcaktuar fillimisht për dy objekte sepse ato mund t’i mbulojmë me shumën e caktuar në buxhetin e këtij viti. Plani më i detajuar se kur dhe si do të blihen objektet tjera do të vijë së shpejti. Natyrisht që s’jam në gjendje të flas për shtete tjera, kemi kërkesa e oferta, por duam të përqendrohemi aty ku mund t’i mbulojmë dhe aty ku Kosova ka shkuar për të qëndruar përgjithmonë e jo në misione të përkohshme. Do t’i blejmë sivjet. Komisioni do të vendosë”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka thënë se nuk e di numrin e ambasadorëve që janë emëruar së fundmi, ndërsa ka shtuar se tre ambasadorë politikë kanë kaluar në Komisionin Parlamentar. Sipas saj, Kosova s’ka përfaqësim vetëm në një shtet afrikan, ndërsa në Tajlandë e Bullgari ka të ngarkuar me punë. Është ankuar në mungesë të stafit civil.
Gërvalla ka paralajmëruar rifreskim të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe një fond humanitar për ndihmë Ukrainës me produkte vendore.