Ministrja e Punëve të Brendshme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia po përpiqet të ngjallë një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive ruse në Ukrainë.
Ajo këtë tentativë të Rusisë për të krijuar një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që ndaloi veprimet gjenocidale të Serbisë, dhe veprimeve të Rusisë në Ukrainë e sheh si absurde dhe të papranueshme.
Ajo këtë deklaratë e ka bërë teksa ka përkujtuar masakrën në Krushë të Madhe të Rahovecit, dhe fshatrat përreth, ku Serbia vrau 241 shqiptarë civilë.
“25 vite pas, Rusia ka thirrur për sot një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar të ngrejë një paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi fushatën gjenocidale të Serbisë, dhe luftës së saj agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.