Anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian, kanë kritikuar ministren e Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, pasi kjo e fundit nuk ka raportuar në këtë Komision, raporton Ekonomia Online.
Ata e quajtën papërgjegjësi mosparaqitjen e saj para deputetëve duke thënë se nuk është hera e parë që mungon ministrja Gërvalla.
Fillimisht, kryetarja e këtij Komisioni, Rrezarta Krasniqi, tha se mungesa e ministres në këtë Komision, është papërgjegjësi.
Krasniqi i njoftoi anëtarët e tjerë të Komisionit që paraprakisht kanë pasur konfirmim se ministrja do të raportojë në Komision.
“Pas disa datash të konsultuara nga ana jonë dhe nga ana e ministres së Punëve të Jashtme, ditën e hënë me datën 20 dhjetor kemi marrë konfirmimin se ministrja mund të raportojë në Komision me datë 22. Pas kësaj kemi njoftuar edhe mbledhjen që po e mbajmë sot me rend të ditës. Pastaj me datën 21 kemi marrë një njoftim nga ana e kabinetit të ministres , që për shkak të një udhëtimi që i ka dalë urgjent, ministrja nuk mund të raportojë në Kuvend”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së konsideroi se ministrja Gërvalla është treguar e papërgjegjshme sot.
“Unë këtë e konsideroj si papërgjegjësi e ministres së Punëve të Jashtme. Gjithashtu është edhe papërgjegjësi e saj kushtetuese, sepse siç e dimë ekzekutivi duhet t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar. Sot ministrja nuk është në raportim për arsye se i ka dal një udhëtim urgjent”, ka deklaruar Krasniqi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se kjo është tentativa e tretë që ministrja Gërvalla e shtyn raportimin.
“Ne jemi në fund të vitit dhe kam pritur që sot ministrja do të vjen dhe të raportojë në këtë Komision. Ajo e ka shtyre raportimin me datën 13 të këtij muaji, dhe në fakt është tentativa e tretë që po shtyhet raportimi”.
“Nuk e di se çfarë mund të ketë më urgjente se ministrja nuk ka dashur të raportojë në këtë Komision për shkak të një agjende që i ka dalë dhe unë e thërras ministren që të vijë të raportojë në këtë komision”, tha ajo.
Kritika pati edhe deputeti tjetër i PDK-së Elmi Reçica, raporton EO.
Ndërkaq deputetja e AAK, Time Kadriaj, tha se është e pamundur që të ndërrojë një agjendë e ministres ad-hoc.