Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se trupi i Faton Hajrizit, të vrarë nga policia serbe duhet të kthehet sa më shpejt në Kosovë.
Gërvalla për Klan Kosovën tha se të gjitha çështjet për rastin e Faton Hajrizit i kanë adresuar edhe tek partnerët ndërkombëtarë.
“Kemi adresuar të gjitha temat edhe tek partnerët ndërkombëtarë sepse së paku trupi i qytetarit tonë do të duhej të kthehej sa më shpejt në Kosovë, do të duhej t’i kthehej familjes”.
“Zyra Ndërlidhëse i ka kontaktuar institucionet në Serbi dhe sapo kemi një konfirmim të saktë të informacioneve, ne do ta ndajmë me publikun”, tha Gërvalla.
Ajo më tej tha se fqinjin verior, Kosova e ka të vështirë, e që sipas saj, rrallë sillet sipas standardeve të njohura ndërkombëtare.
Faton Hajrizi është vrarë dje nga policia serbe, pasi dyshohet se mesnatën e të mërkurës vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në Lloznicë.
Ai ishte arratisur javë më parë nga Burgu i Smrekonicës, ku për autoritetet kosovare ishte i pakapshëm.