Gërvalla: Viktimat me plagë të hapura, autorët e krimeve enden të lirë në Serbi

Prishtinë | 19 Qer 2025 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në Takimin Ministror në Taormina, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale, tha se ndërsa viktimat mbeten me plagë të hapura, autorët e këtyre krimeve enden të lirë në Serbi.

“E ardhmja evropiane nuk mund të ndërtohet mbi harresë selektive dhe standarde të dyfishta. Por ndërtohet mbi kujtesën, drejtësinë dhe guximin për të qenë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë.
Gjatë Takimit Ministror në Taormina, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në konflikt, u rikujtova kolegëve të mi, se dhuna seksuale u përdor nga Serbia si armë lufte, ndaj grave, burrave e fëmijëve. Në Kosovë. Në Kroaci. Në Bosnje.

E ndërsa viktimat mbeten me plagë të hapura, autorët e këtyre krimeve enden të lirë në Serbi, jo vetëm të pandëshkuar, por shpesh të shpërblyer me poste e privilegje. Ndërsa, institucionet ndërkombëtare të drejtësisë vazhdojnë të heshtin, heshtje kjo që rrezikon përsëritje të historisë.
E ardhmja jonë është në BE, por si pjesë e natyrshme e një Evrope që e njeh të kaluarën, mbron të vërtetën dhe ndërton paqe përmes drejtësisë. Sepse vetëm një Evropë që i qëndron besnike vlerave të saj, mund të ruajë koherencën, besimin dhe rolin e saj si faktor qëndror i drejtësisë dhe paqes në rajon dhe botë”, tha Gërvalla.

Të ngjashme