Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar rezultatet e studimit “Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, sfidë për bizneset”. Ky aktivitet është organizuar në kuadër të panairit të produkteve bujqësore dhe agro-industriale “Prishtina 2017”.
Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, tha se organizimi i këtij forumi ka për qëllim që t’u mundësojë bizneseve që të shpalosin barrierat kryesore që ata kanë, e që sipas tij, është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, raporton Ekonomia Online.
“Kjo konferencë e ka qëllimin edukimin dhe vetëm partneriteti i akterëve vendor dhe ndërkombëtar, bashkërisht duhet që të gjejmë fuqinë, sepse neve na duhet fuqi punëtore të kualifikuar. Shkalla e papunësinë sillet nga 35-40%, modalitetin për papunësisë duhet të gjejmë së bashku. Sfida më e madhe e sektorit provat, është gjetja e fuqisë punëtore dhe stafit të kualifikuar. Është koha të kemi një analizë më të thuktë”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu më tej shtoi se kjo është një mundësi e mirë për të krijuar kontakte në mes të ndërmarrësve që kanë nevojë për punëtorë me shkathtësi të veçanta, si dhe të zhvillohen ide të reja për t’i ndihmuar ndërmarrësit në tejkalimin e barrierave të të bërit biznes.
Ai tha se në këtë aspekt i rëndësishëm është rritja e bashkëpunimit mes trekëndëshit: komunitet biznesi-sistemit edukativ vendor dhe fuqisë punëtore, në anën tjetër.
Skender Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka thënë se hulumtimi që ka bërë OEK i ndihmon nevojave të tregut.
“Të rinjtë e Kosovës janë pasuri e vërtetë dhe përbëjnë 1/5 e popullsisë. Deri më tani kemi papunësinë më të larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumë prej të rinjve kanë punuar pa kontrata pune. Është shumë urgjente krijimi i mundësive në sektorin e punësimit e sidomos në ato sektorë që kanë potencial rritje”, ka thënë Reçica.
Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka thënë se këtë vit numri i studentëve në praktikë është 135 dhe që do marrin një rrogë minimale.
Por Hasni ka kërkuar nga ministria e Arsimit të rishqyrtojë politika për shkollat profesionale.
“Me mendojmë që edhe nga ministria e Arsimit duhet të rishqyrtohen politikat për shkollat profesionale, sepse kapacitete ka. Mendoj që neve na duhet të marrim hapa më të shpejt sepse përmes politikave te arsimit mund te bëhet kjo, por normalisht me periudhë më të gjata. Ne si MTI mund të arrijmë numrin më të madh të studentëve që kanë kryer praktikën në industri dhe ndërrmarje të ndryshme, tash i kemi 135 studentë që do të marrin rrogë minimale”, ka thënë Hasani.
Edhe përfaqësuesi i GIZ-it në Kosovë, Ilir Rexha, ka thënë se moskualifikimi i punëtorëve është sfidë për bizneset.
“Kjo është një nga sfidat kryesore në Kosovë, është koha e fundit që kjo të trajtohet në mënyrë sistematike dhe të gjithë sektorët duhet përfshihen. Kjo mund të arrihet me një komunikim, publiko pivat. Qeveria Gjermane e konsideron OEK-un si një faktor kyç, i cili mund të luaj një rol të rëndësishëm”, ka thënë ai.
Ndërsa, Besim Beqaj, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është shprehur se kemi njerëz të diplomuar shumë më shumë kurse përgatitja e tyre profesionale është e mangët.
“Kualifikimi mundëson dijen, dhe profesionalizimin. Ne kemi njerëz të diplomuar shumë më shumë kurse përgatitja e tyre profesionale është e mangët. Mendoj që plan-programet duhet me u rishikua thellësisht. Kemi nevojë shumë me shumë që ekonomia me pjesën akademike të jetë shumë më shumë aktiv”, ka thënë Beqaj, teksa tha se ministria e Inovacionit do të merret me rritjen e aftësive me inovacionin pasi kjo e fundit sipas tij, është përmirësim i shërbimeve.
Besim Mustafa, nga OEK, ka bërë prezantimin e të gjeturave. Hulumtimi ka përfshirë 100 ndërmarrje në pesë sektorë të ndryshëm.
Hulumtimi është zhvilluar në tre mujorin e parë të këtij viti. Mustafa ka treguar se 46.8% e ndërmarrje e kanë të vështirë për të gjetur punëtorë.
Mustafa tha se shqetësuese për OEK është se studentët nuk janë të përgatitur mjaftueshëm për tregun e punës.