Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka vlerësuar lartë bashkëpunimi politik dhe ekonomik në mes të Kosovës dhe Francës dhe ka theksuar se Franca është partneri strategjik i Kosovës.
Gjatë takimit njoftues me ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Didier Chabert kryetari Gërxhaliu ka vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe është angazhuar që edhe bashkëpunimi ekonomik të përcjell marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike.
“ Ishte një takim i rëndësie të veçantë pasi që përveç ambasadorit në takim ishin edhe përgjegjësitë për marrëdhënie ekonomike dhe financiare. Ambasadori u angazhua për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të kompanive franceze dhe atyre kosovare në fushat e ndryshme”, deklaroi kreu i OEK-ut pas takimit.
Ambasadori Chabert vlerësoi se Kosova ka nevojë për përshpejtimin e proceseve ekonomike si parakusht për arritjen e objektivave për stabilitet social dhe politik.
Ambasadori francez prezantoi projektet të cilat janë duke u realizuar me financim nga qeveria e Francës.
Ai tha se institucionet dhe kompanitë vendore duhet të ngritin kapacitetet për projekte konkrete dhe gjetjen e mundësive lobuese në Bruksel, pasi që atje behët ndarja e mjeteve për financimin e projekteve dhe se në ketë drejtim nuk do të mungoj përkrahja e Francës.
Kreu i Odës tha se ekonomia duhet të jetë prioritet i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Francës pa anashkaluar aspektin politik.
“ Në Kosovë janë arritur rezultate të shumta. Vlen të theksohet partneriteti me Unionin Evropian i cili është kurorëzuar me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Mirëpo për realizimin e rezultateve konkrete kjo marrëveshje duhet të mbështetet me liberalizimin e vizave. Në këto tri vitet e fundit biznesi ka humb shumë kohë duke siguruar viza dhe në të njëjtën kohë janë humbur edhe shumë mundësi të prezantimit dhe prezencës së bizneseve kosovare në tregun evropian e më gjerë”, tha kryetari Gërxhaliu.
Me këtë rast ambasadori Chabert tha se nga numri i tërësishëm i kërkesave për viza ambasada e Francës në Prishtinë ka lëshuar viza në 80 për qind të rasteve dhe se angazhohet në përshpejtimin e përgjigjeve në kërkesat për viza.
“ Liberalizimi është mundësi e cila duhet shqyrtohet dhe sigurisht mund të jep kontribut të rëndësishëm në proceset e zhvillimit ekonomik”, tha ambasador i Francës.
Gërxhaliu dhe Chabert u pajtuan se vend të veçantë duhet kushtuar bashkëpunimit rajonal dhe se iniciativa e Berlinit duhet vazhduar dhe begatuar, pasi që vetëm me bashkëpunim rajonal tregu i Ballkanit Perëndimor do të jetë interesant për investime të kompanive të mëdha ndërkombëtare.