Mbrojtësi Amar Gërxhaliu është tejet i lumtur për ftesën e parë që mori te kombëtarja e Kosovës dhe është optimist se do të kemi sukses, kështu tha ai në një intervistë për Gazetën Nacionale.
Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse të premten bëri publike listën e të ftuarve për dy ndeshjet e marsit, me Gërxhaliun që ishte prurje e re pranë Albion Rrahmanit të Ballkanit dhe Arbnor Mujës së Royal Antwerpit.
Për Nacionalen, Gërxhaliu ka treguar për emocionet pas ftesës së parë duke deklaruar se u gëzua tepër.
“Çdo lojtar kosovar ëndërron ftesën prej Kosovës. Kisha emocione të papërshkrueshme, isha në stërvitje ndërsa pasi e kreva mësova se më kishte ardhur ftesa. U gëzova shumë”.
20-vjeçari synon që me Kosovën fillimisht t’i arkëtojë pikët e plota gjatë këtyre dy ndeshjeve të ardhshme dhe beson se falë formës së lartë të lojtarëve një gjë e tillë mund të arrihet.
“Synoj që në këto dy ndeshje t’i ndihmoj skuadrës për t’i fituar. Çdo herë Kosova ka pasur kualitet të madh. Besoj se do t’i fitojmë të dy ndeshjet sepse secili lojtarë po kalon në formën më të mirë të mundshme”.
Gërxhaliu ishte pjesë e grupmoshave të Shqipërisë U18, por ai ka treguar se gjithnjë ka dashur të luajë për fanellën ‘Dardane’.
“Në të kaluarën isha pjesë e Shqipërisë, por dëshira ime ka qenë gjithmonë të luaj për Kosovën. Secili lojtar ka dëshirë të luajë për vendin e vet, aty ku është rritur”.
Qendërmbrojtësi ka nisur të gjejë vetën te skuadra e njohur turke Antalyaspor, ku ka zhvilluar disa ndeshje, mirëpo objektiv për të është që të jetë titullar në çdo ndeshje.
“Në Antalyaspor deri më tani kam luajtur në gjashtë ndeshje, tre në Kupën e Turqisë dhe tre në Superligë. Jam duke kaluar shumë mirë, por nuk jam i kënaqur më kaq, do të punoj që të jem titullar në secilën ndeshje të mundshme”.
Në fund, Gërxhaliu shtoi se dëshiron t’i bashkohet një skuadre të madhe evropiane.
“Synimet e mia janë që të vazhdoj të luaj në Evropë dhe besoj se një ditë do të jem pjesë e një skuadre të madhe evropiane”, përfundoi ai.
Kombëtarja e Kosovës më 25 mars do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, si mysafir i Izraelit, ndërsa tre ditë më vonë e pret në shtëpi Andorrën.