Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, po thotë se Kosova e ka humbur mundësinë e liberalizimit të vizave për shkak të dominimit të politikës në këtë proces.
Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online, shtoi se ndodh në një shtet ku nuk ka përgjegjësi qoftë indivudale apo institucionale te politikbërësit.
Por sipas tij, edhe institucionet e BE-së, po e ngadalësojnë këtë proces, duke shtuar se në këtë periudhë Evropa “pandemike”, po i ngadalëson procesin e vizave dhe ky është dëm i madh që po u bëhet qytetarëve.
“Duhet të kuptohet e vërteta që Kosova e ka humbur mundësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në një shtet ku agjenda politike dhe interesat e grupeve të caktuara janë dominante jo të shtetit në maj të vitit 2016 me Kosovën ku është kërkuar që në pakon mes Gjeorgjisë dhe Ukrainës të futet edhe Kosova në liberalizim ku kushti esencial atëherë ka qenë marrëveshja me Malin e Zi rreth demarkacionit”.
“Për fat të keq demarkacioni ka përfunduar dhe Kosova nuk ka fituar asgjë dhe jo vetëm që nuk kemi fituar në aspektin territorial, por e kemi humbur edhe shansin e liberalizimit të vizave. Kjo ndodh në një shtet ku nuk ka përgjegjësi qoftë indivudale apo institucionale ku nuk ka përgjegjësi morale te politikbërësit”.
“Në këtë drejtim nëse dikush vuan atëherë është qytetari i Kosovës. Prandaj Evropa nuk është ajo që ka qenë e vitit 2016, por e vitit 2020. Është një Evropë pandemike dhe e tëra kjo do t’i ngadalësojë proceset edhe më tutje për liberalizim dhe ky është dënimi më i madh që i bahet Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Gërxhaliu foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke shtuar se duhet të lobohet më tepër në aspektin politik dhe në aspektin e fuqizimit të diplomacisë ekonomike, raporton EO.
“Dua të besoj që dialogu mes Kosovë dhe Serbisë nuk ka alternativë por duhet të lobohet më tepër në aspektin politik dhe në aspektin e fuqizimit të diplomacisë ekonomike. Por që të jemi të suksesshëm në këto fronte duhet të kemi njerëz të vërtetë të dijes nëpër pozita kyçe dhe jo gjithmonë njerëz të politikës”.