Tregtia ndërkombëtare ndërmjet vendeve dhe rajoneve të ndryshme të botës zhvillohet në kuadrin e veprimtarisë së shumë strukturave ndërqeveritare, të cilat po luajnë një rol gjithmonë e më të madh në vendosjen e normave dhe rregullave të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve. Megjithatë, OBT-ja me seli në Gjenevë të Zvicrës është e vetmja që ka në strukturën e saj pothuajse të gjitha shtetet e botës, përfaqësuesit e së cilave zhvillojnë diskutime dhe përfaqësojnë interest e shteteve të tyre respketive për çështje të tregtisë, duke filluar nga tarifat dhe barrierat jo-tarifore e deri te shqyrtimi i politikave tregtare të vendeve anëtare të OBT-së.
Por, Kosova, pavarësisht faktit që bisedimet dhe takimet me Organizatën Botërore të Tregtisë kanë nisur shumë kohë më parë, vazhdon të mbetet larg këtij institucioni për shkak të mosparaqitjes së një kërkese formale për anëtarësim në këtë organizatë.
Sipas mbarëvajtjes së këtij procesi deri me tani, çështja e paraqitjes së kërkesës zyrtare për anëtarësim në sekretariatin e OBT-së është tërësisht politike, pavarësisht përgatitjeve teknike që janë bërë në drejtim të anëtarësimit.
Shikuar nga një prizëm më i gjerë, Kosova nga ky anëtarësim, fillimisht si vëzhgues, më shumë do të fitojë politikisht sesa ekonomikisht. Megjithatë, prezenca e përfaqësuesit të Kosovës në takimet dhe diskutimet rreth tregëtisë botërore në OBT, ka rolin e saj kyq në përgatitje të vendit tonë për anëtarësim të plotë në këtë organizatë që rrjedhë natyrshëm pas statusit të vëzhguesit dhe përafrim të legjislacionit konform rregulave të OBT-së.
Negociatat për anëtarësim, sipas përvojave të vendeve të tjera, kanë zgjatur mes 5 dhe 15 vite, andaj është momenti i fundit kur Kosova duhet seriozisht të shqyrtojë aplikimin në OBT.
Prej vendeve të rajonit, Kosova është i vetmi shtet që nuk është pjesë e kësaj organizate, madje as si vëzhgues. Nga dimensioni rajonal, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë shtetet e fundit që janë duke synuar anëtarësim, statusi aktual i së cilave është si vëzhgues në OBT.
Oda Ekonomike e Kosovës, rekomandon aplikim urgjent për anëtarësim në këtë organizatë me rëndësi multi dimensionale edhe si vëzhgues në të njëjtin model siç kanë aplikuar edhe vendet e rajonit dhe ky proces të mos jetë i ndikuar nga dimensioni i politikës së brendshme.