Naftëtarët kanë pasur një vit të suksesshëm gjatë 2016-ës, duke kontribuar në buxhetin e Kosovës me më shumë se 224 milionë euro. Angazhimi i kësaj shoqate duhet të merret model nga shoqatat e tjera.
Kështu ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në takimin e Shoqatës së ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve (ShQNGL), ku u prezantuan sukseset e arritura gjatë vitit 2016.
Gërxhaliu tha se kjo shoqatë ka qenë njëra ndër shoqatat më atraktive. “Besoj se ky angazhim i kësaj shoqate të jetë model për shoqatat e tjera”.
Gërxhaliu i ka përmendur disa argumente që e veçojnë këtë shoqatë, duke thënë se deri me datën 16 të këtij muaji janë të importuar më tepër se 410 milionë litra naftë dhe derivate të naftës.
“Janë të paguara në bazë doganore 162 milionë e 600 mijë euro. Janë paguar akcizë 165 milionë e 838 mijë euro, janë paguar tatim në vlerën e shtuar afër 58 milionë euro dhe totali i kontributit për institucionet e Kosovës është më tepër se 224 milionë euro”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërsa, kryetari i ShQGL-së, Fadil Berjani, tha se ky vit për këtë shoqatë ishte mjaftë i suksesshëm.
“Të gjitha pikat që nuk kemi mundur me i realizuar këtë vit mbesin prioritet i vitit 2017”, u shpreh Berjani.