Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe të Odës Ekonomike të Serbisë (PKS) kanë mbledhur në një takim drejtues të bizneseve të komunave Bujanoc dhe Preshevë, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit, zhvillimit të ndërmarrjeve dhe distribuimit të produkteve të tyre.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se politika duhet të lihet pak mënjanë dhe sa më shumë të flitet me gjuhën e biznesit për të mirën e qytetarëve.
“Ne e kemi një problem të përbashkët e kjo është papunësia. Mendoj se është një fillim i mbarë që ky rajon përmes ekonomisë mund të arrijë perspektivë të zhvillimit të përbashkët”, deklaroi Gërxhaliu, para dhjetëra biznesmenëve shqiptarë e serbë të këtij rajoni.
Marko Çadezh, kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, tha se ai së bashku me kolegun nga Kosova janë duke punuar në lehtësimin e komunikimit mes bizneseve të të dyja vendeve.
“Jemi pajtuar se komunikimi mes dyja vendeve të jetë në të mirë të zgjidhjes se problemeve të ekonomisë dhe zhvillimin e partneritetit të përbashkët”, është shprehur Çadezh në Bujanoc.
Kurse, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili ishte nikoqir i këtij takimi, theksoi se komunat Bujanoc dhe Preshevë mbeten të varfra dhe të pazhvilluara.
“Të gjitha iniciativat që ndërmerren nga bizneset e ndryshme dhe nevojitet ndihma e komunës ne do t’i mbështesim me të gjitha lehtësirat”, u shpreh Kamberi.
Për rëndësinë e zhvillimi ekonomik foli edhe kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili potencoi shembullin e fundit të nismës për hapjen e fabrikës së këpucëve “Solid” nga Kosova në Preshevë që do të punësoje fillimisht 70 veta.
“Jemi në një proces, si politik ashtu edhe ekonomik, dhe ne si aktorë politikë lokalë do të japin kontributin tonë në zhvillimin e biznesit privat”, vlerësoi Arifi.
Të pranishëm në takimin e mbajtur në sallën e shtëpisë së kulturës në Bujanoc ishin një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të biznesit lokal nga Bujanoci dhe Presheva.
Gjatë takimit, Çadezh paralajmëroi se nga janari 2017 në Bujanoc dhe Preshevë do të hapen zyrat e Odës Ekonomike të Serbisë me qëllim të ndihmesës së bizneseve lokale.