Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, njoftoi se të gjitha Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, kanë nënshkruar një letër të përbashkët e cila u është dorëzuar institucioneve kryesore të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kërkesa e vetme e kësaj letre, sipas tij, ka qenë heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, gjatë Samitit të menaxherëve më të suksesshëm të rajonit dhe Evropës që u mbajt në Sarajevë të premten, raporton Ekonomia Online.
“Si Oda Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, në ombrellën e Procesit të Berlinit, e kemi dërguar një letër të përbashkët të nënshkruar nga të gjithë kryetarët e vendeve të rajonit të Odave Ekonomike, duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja”.
“E kemi adresuar në të gjitha institucionet qeveritare në Bosnje dhe Hercegovinë, në Parlament dhe Presidencë me kërkesë të vetme të hiqen vizat për kosovarët dhe për qytetarët e Bosnjës në Kosovë sepse është duke u dëmtuar Ballkani dhe jo vetëm këto dy shtete. Serbia, jo vetëm që është pajtuar por ndër të parët që ka nënshkruar një letër të tillë ka qenë kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë z. Çadesh”.
Gërxhaliu tutje bëri të ditur se në këtë samit, nga Oda Ekonomike e Kosovës është dërguar mesazh që dialogu dhe partneriteti nuk kanë alternativë, që familja evropiane është rrugëtim i përbashkët dhe që vendet që jenë partnerë në këtë drejtim.
Sipas tij, nuk mund të jemi partnerë në familjen evropiane nëse mes vete shtetet e Ballkanit nuk i eliminojnë barrierat që janë të shumta, në veçanti me Bosnjën dhe Serbinë, raporton EO.
Vizitën në Bosnje dhe Hercegovinë, Gërxhaliu e ka shfrytëzuar edhe për t’u takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të këtij vendi, Ahmet Egriç, takim në të cilin sipas tij, është parë gatishmëri t’i eliminuar barrierat ekonomike mes Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Kemi pasur një takim bilateral me Odën Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës ku kemi biseduar për forma të ndryshme të bashkëpunimit ekonomik, në rend të parë duke eliminuar barrierat dhe vërtetë vlen të theksohet që parë një gatishmëri nga Oda Ekonomike e Bosnjës që të lobojë më tepër në këtë drejtim”.
Gërxhaliu theksoi se interesi për bashkëpunim ekonomik me Bosnjën është shumë i madh. Sipas tij në vitin 2017 importi nga Bosnja ka qenë më tepër se 81 milionë euro, derisa ka pasur një rritje të eksportit në përqindje minore.
Në këtë Samit kryetari i OEK është shpërblyer me çmim në kategorinë e menaxherit evropian të vitit për asociacionet e biznesit.
Gërxhaliu ishte në mesin e dy laureatëve të tjerë të këtij samiti, kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov dhe atij të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Në garë për të fituar çmimin që e mori Gërxhaliu, sipas tij, kanë qenë mbi 2 mijë e 700 persona, raporton Ekonomia Online.
Gërxhaliu ka deklaruar se ky çmim është nder për të dhe Kosovë, marrë parasysh se ai është ndarë në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, shtet ky i cili ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Një çmim i tillë nuk është nderë vetëm për mua, por edhe për Kosovën, në veçanti kur jepet në Bosnje dhe Hercegovinë, shtet që nuk e ka pranuar Kosovën. Të jem në mesin e tyre është nderë jo vetëm për mua dhe Odën Ekonomike, por edhe për Kosovën sepse një mirënjohje e tillë kur dihet që kanë qenë në konkurrencë më tepër se 2 mijë e 700 vetë dhe të jeni laureat, besoj është çmim i cili sa të sjellë kënaqësi dhe mburrje është edhe obligim që në të ardhmen të punohet më tepër, të jepet kontributi në aspektin e promovimit ekonomik”.