Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, e ka quajtur “patriotizëm folklorik” reagimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, i cili sot iu bëri thirrje kompanive kosovare që ta bojkotojnë panairin e organizuar nga OEK-u, në shenjë proteste pse po promovohen kompanitë nga Serbia.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, kryetari i Odës Ekonomike tha se “ata që po ankohen paradite bëjnë biznes në Serbi dhe në mbrëmje shesin patriotizëm folklorik”.
Sipas Gërxhaliut, askënd nuk duhet ta pengojë promovimi i vlerave të ndërmarrësisë kosovare dhe se avancimi i bashkëpunimit ekonomik në rajon e më gjerë është i domosdoshëm.
“Deri kur ne do të humbim kohë duke u munduar ta zbukurojmë të kaluarën dhe të shesim patriotizëm folklorik, kur pjesa dërmuese e tyre që ankohen kinse në këtë panair paradite bëjnë biznes me serbë në Serbi, bëjnë transaksione të ndryshme dhe të njëjtit vijnë në Kosovë në mbrëmje dhe shesin patriotizëm folklorik. Gjëja e vetme që e pengon Klubin e Prodhuesve është fakti që më nuk ka fshehtësi të të bërit biznes me Serbinë, nuk ka transaksione fiktive dhe çdo gjë është legale”.
“Nëqoftëse dikë e pengon transparenca, e pengon promovimi i vlerave të ndërmarrësisë kosovare dhe e pengon integrimi i Kosovës e dimensionit ekonomik në integrimet Evropiane është problem i tyre”, shtoi kreu i OEK-ut.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës, në një reagim sot, shprehu pakënaqësinë se si paratë e taksa-paguesve kosovarë po shfrytëzohen në promovimin e kompanive serbe në Kosovë, përkatësisht në panairin “Prishtina 2018”, të cilin e organizon Oda Ekonomike e Kosovës.
“Duhet theksuar se 17 vjet pas përfundimit të luftës, asnjë kompani e Kosovës nuk është ftuar apo nuk ka marrë pjesë në ndonjë panair në Serbi. Ndërsa në panairin kryesor ndërkombëtar në Kosovës nga gjithsej 174 kompani që marrin pjesë, mbi 50 për qind janë nga Serbia”, thekson kjo organizatë, në një komunikatë për medie.
“E njoh Klubin e Prodhuesve që është një organizatë joqeveritare me 8 ose 9 kompani anëtare, me një qasje anti-odë që nga themelimi. Dhe kjo qasje nuk më befason”, theksoi Gërxhaliu.
“E vërteta është që Kosova është në integrim në familjen evropiane. Nuk mund të ketë integrime vetëm nga dimensioni politik, por edhe nga dimensioni ekonomik. Dhe në këtë drejtim, partneriteti dhe avancimi i bashkëpunimit në rajon edhe më gjerë është i domosdoshëm”.
“Ju e dini që jemi pjesë e Procesit të Berlinit, jemi pjesë e marrëveshjes CEFTA, jemi nënshkrues të Marrëveshjes për Asoccim Stabilizim, dhe nëse dikush kërkon që ne do ta bllokojmë ose do ta pengojmë dikë tjetër të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar ‘Prishtina 2018’ është një dëshirë që nuk mund të realizohet”, shprehet kryetari i Odës.
“Panairi është i hapur dhe kush dëshiron të marrë pjesë të hyjë në garë me vlera dhe kualitet është i mirëseardhur… Hovin dhe rrugëtimin e Kosovës drejt familjes evropiane nuk mund ta ndalë askush e më së paku Klubi Prodhuesve”.
Në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”, i cili hapet nesër në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj do të marrin pjesë 174 kompani të ndryshme. 88 prej tyre janë kompani vendore dhe 86 të huaja, shumica nga Serbia. Pjesë e panairit do të jetë vetëm një kompani nga Shqipëria. Duke folur për këtë, Gërxhaliu tha se si duket në Shqipëri me shumë janë të interesuar të bashkëpunojnë me vende te tjera sesa me Kosovën.
Zyrtarët e Odës, e cila është organizatore e këtij panairi katërditor, theksojnë se organizimi i këtij panairi i jep Kosovës rëndësi ekonomike, strategjike, integruese, sociale dhe mbi të gjitha është hap i forcimit të partneritetit ndër-rajonal si dhe përmirëson imazhin dhe perceptimin rreth Ballkanit Perëndimor.
Hasani: Ne nuk e mbështesim financiarisht organizimin e këtij panairi
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se MTI-ja nuk e ka mbështetur financiarisht organizimin e këtij panairi.
“Panairi ndërkombëtar ‘Prishtina 2018’ organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk është organizator i këtij panairi. MTI-ja nuk e ka mbështetur financiarisht organizimin e këtij panairi”, tha Hasani, në një përgjigje me shkrim.
“Ne jemi vetëm të ftuar në hapje të këtij panairi. Ne nuk e dimë se cilat kompani do të jenë pjesë e tij, dimë vetëm se është panair me karakter ndërkombëtar”, tha Hasani, i cili konfirmoi se nesër do të marrë pjesë në hapje të Panairit.