Gërxhaliu për raportin e “FDI Intelligence”: Është i sponsorizuar, ushqen militantët politikë por jo ekonomistët

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 10:08 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka quajtur të sponsorizuar raportin e “FDI Intelligence” nga “Financial Times”, i cili tregon se “Kosova renditet e dyta në Evropë për zhvillim dhe e pesta në të gjithë botën”.

E sa i përket deklarimit të kryeministrit Albin Kurti, se ky raport është një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, Gërxhaliu ka thënë për Ekonomia Online se ky raport ushqen militantët politikë, por jo ekspert të fushave ekonomike.

Ai ka thënë se e ka habitur fakti se si një gazetë prestigjioze si “Financial Times”, ka një qasje të tillë, kur vetë Kosova është nën sanksione ekonomike e ka mungesa të mëdha të investimeve të huaja.

“Po të mos isha në Kosovë dhe të mos e njihja realitetin kosovar, një lajm i tillë kishte me qenë një lajm bombastik të cilin shumë kush do ta besonte, në këtë drejtim e ka atë efektin e vetë pozitiv në aspektin e perceptimit tek të tjerët, mirëpo realiteti në Kosovë nuk është diçka e tillë. Në rend të dytë, me ka habiyur fakti i qasjes së një gazete të tillë prestigjioze, “Financial Times” që do të thotë një shtet i cili është nën sanksione ekonomike të cilat jo vetëm që s’është në plan të hiqen por tentohet të rendohen dhe të vështirësohen. Flet për një shtet që përveç diasporës dhe investimeve në patundshmëri ka zero investime të huaja, në prodhim në teknologji moderne, në rritje të eksporteve dhe në transfer të teknologjisë dhe të edukimit”, ka thënë ai.

Ish-kryetari i OEK-ut ka thënë se po të ishte Kosova një mrekulli e tillë ekonomike, vendi nuk do të përballej me largim të të rinjve, që sipas tij, kanë humbur shpresat për të jetësuar këtu.

Ai ka thënë se nga përvoja që ka, raporte të tilla shpesh janë të sponsorizuar dhe se gjendjen  se si është në vend, sipas tij, e dinë më mirë kosovarët të cilët përballen çdo ditë me realitetin.

“Vetë fakti që nga ky shtet që qenka një mrekulli ekonomike po largohen të rinjtë dhe është humbur shpresa për të jetuar dhe krahas ikjes dhe largimit të qytetareve po ik kapitali me të madhe, duke investuar në vendet e rajonit. Mungesa e stabilitetit politik e ka ngulfat Kosovën, agjenda politike e ka anashkaluar rendësin ekonomike dhe sociale dhe shumë më tepër është ta shohim realitetin aty ku jetojmë se sa të mendojmë se çka thonë të tjerët që ndoshta janë të sponsorizuar. Nuk duhet vetëkënaqësi. Definitivisht raporte të shumta nga përvoja e ime në të kaluarën kanë qasje sponzuruese, por në përgjithësi në aspektin ekstrem për ata që nuk e njohin Kosovën, ky mund të jetë një lajm, dhe mund të jetë një hapë drejt ndryshimit, apo krijimit të një perceptimi të ri mbi Kosovën, por e vërteta është e kundër me atë çka rekomandohet edhe nga ‘Financial Times’ edhe nga institucionet tjera”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se ky raport mund të ushqejë militantët politik por që jo edhe ekspertët të fushave ekonomike.

“Pasi lexova raportin, i pash indikatorët të cilët i ëndërroj që Kosova të jetë aty, por Kosova dhe ky raport janë diametralisht të kundërta. E dëshirojmë një Kosovë të tillë që të jetë në këtë ran listë dhe këtë nivel të investimeve, po për diçka të tillë që të arrihet duhet punë, duhet dialog, duhet partneritet, duhet koordinim të aktiviteteve me miqtë ndërkombëtar dhe me ShBA. Sepse në kundërshtim total me BE-në, një luftë diplomatike me ShBA-në dhe të mendosh se ke ambient dhe je shteti me atraktiv për me investime të huaj, kjo është një utopi që mund ti ushqejë militantët politik, por jo ekspert të fushave ekonomike”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar këtë raport duke thënë se sipas tij “Kosova renditet e 4-ta në botë për përmirësim nga viti në vit nga viti 2022 në 2023”.

Ai ka shkruar se ky raport është një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin një destinacion lider për investitorët e huaj.

“Një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj”, shkroi Kurti në X.

Të ngjashme