Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se zhvillimet politike në vend jo vetëm që po plasojnë një mesazh të keq tek faktori ndërkombëtar, por edhe po bëjnë që Kosova ta humbë hapin për të qenë pjesë e proceseve ekonomike të rajonit dhe më gjerë.
“Fakti që ky vit është vit i sfidave dhe i aktiviteteve të ndryshme ekonomike në nivel rajonal evropian dhe global dhe duke pasur parasysh dinamikën dhe angazhimin e vendeve të rajonit dhe më gjerë Kosova është duke humbur hapin për të qenë pjesë e proceseve në dimensionin ekonomik”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, duhet të bëhet çmos që të plasohet një mesazh i qartë tek qarqet politike në Kosovë që interesa partiake dhe politike nuk mund të jenë mbi interesa shtetërore.
Gërxhaliu, tha se nuk po i bëhet nder vendit duke e orientuar të gjithë fuqinë për të zbukuruar të kaluarën, por vendit i duhet zhvillimi. Ardhmëria sipas tij, ndërtohet me një ekonomi stabile e bazuar në sundimin e ligjit dhe me një ekspertizë shkencore e bazuar në njerëz të dijes dhe kualifikimit të merituar.
“Po humbet kohë në kërkimin e arsyeve për dështime duke fajësuar të tjerët. Me politikë dhe agjendë të së kaluarës nuk ndërtohet e ardhmja”, ka thënë kreu i OEK-ut.
Ai tha se shumë procese të rëndësishme ekonomike janë ndërprerë për shkak të agjendës politike e cila gjithnjë po dominon dhe sa herë që kemi ndryshime politike, agjenda ekonomike kthehet në pikën zero.