Bashkëpunimi ekonomik në Ballkan është shumë përpara proceseve politike. Përmirësimi i imazhit të rajonit është ndër sfidat kryesore. Dhe kjo mund të bëhet me investime sikur ai në Brod të Dragashit, ku këtë fundjavë inaugurohet teleferiku i ri, i cili ka kushtuar dy milionë euro.
Kështu ka thënë kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, gjatë një darke me përfaqësues të Asociacionit Turistik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor (BAHA), të cilët po qëndrojnë për një vizitë treditore në Kosovë.
Në hotel “Arxhena”, në Brod, këtë të diel, hapet sezoni i skijimit dhe inaugurohet teleferiku i ri. Pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jenë dhe mysafirë të shumtë nga rajoni, nikoqir i të cilëve është Asociacioni Turistik i Kosovës.
“Ky investim më shumë se dy milionë euro nuk ka vetëm rëndësi ekonomike, por ka rëndësi edhe strategjike”, ka thënë Gërxhaliu, pasi që sipas tij, kjo qendër ndodhet në një trekëndësh kufitar, dhe mund të shfrytëzohet nga turistët nga Kosova, Shqipëria, Maqedoni e Mali i Zi.
Kreu i OEK-ut u shpreh se investime si ky ndihmojnë në përmirësimin e imazhit jo shumë të mirë për investime në Kosovë.
“Bashkëpunimi rajonal është i pakontestuar dhe definitivisht përmirësimi i imazhit të Ballkanit Perëndimor është ndër sfidat kryesore. Ne, si oda ekonomike, e mbështesim një proces të tillë, por besoj që ajo që e bëni ju është një mision i shenjtë. Ju si hotelierë, si turistë, jeni ata që të parët kontaktoni me qytetarë, me mysafirët, dhe mund të bëni shumë në përmirësimin e imazhit dhe perceptimit të krijuar rreth Kosovës”, iu drejtua Gërxhaliu, mysafirëve në hotel “Afa”.
Sipas agjendës, përfaqësuesit e BAHA-s, që mbledh përfaqësues të hoteleve nga vendet ballkanike, Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria dhe Bosnja e Hercegovina, të shtunën do të zhvillojnë një vizitë në rajonin e Gjilanit, ku do të kenë dhe një takim me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri. Në mbrëmje, ata do të udhëtojnë për në Prizren (ku do të vizitojnë dhe Vërmicën). Kurse, të dielën, në hotel “Arxhena” në Brod, mbahet manifestimi i pranimit të anëtarëve të rinj në BAHA.
Ata do të priten dhe nga kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, ndërsa në mesditë mbahet ceremonia e hapjes së teleferikut të ri, investim i kompanisë “Kuk Komerc”.