Ekonomia kosovare edhe më tutje vazhdon të mbetet nën dominimin e agjendës politike.
Numërimi i tejzgjatur i votave dhe vonesa në epilogun e zgjedhjeve po krijojnë stagnim në proceset shtetërore, e në veçanti në ato ekonomike.
Mungesa e investimeve të huaja është shqetësuese për të ardhmen ekonomike të Kosovës.
Procesi gjyqësor me ish-krerët e UÇK-së dhe shtetit, sanksionet ekonomike të BE-së ndaj Kosovës, raportet e zbehura me aleatët strategjikë si SHBA-ja dhe vendet evropiane, si dhe mungesa e stabilitetit politik, që lidhet kryesisht me dialogun me Serbinë, janë arsye shqetësuese për të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe për investimet e huaja.
Mungesa e një diplomacie aktive të Kosovës, në veçanti asaj ekonomike, po dëmton edhe më shumë imazhin e vendit.
Ka filluar një rend i ri botëror, “Trampizmi”, dhe si duket, Kosova nuk po e kupton nevojën dhe arsyen për reflektim dhe ndryshim të qasjes.
Është shqetësuese situata në sektorin privat, e në veçanti në atë prodhues, ku bilanci tregtar dy mujor për vitin 2025 është 120.65 milionë euro eksporte dhe 985.76 milionë euro importe.
Gjithashtu, shqetësuese është situata në sektorin e energjisë elektrike, ku ka paralajmërime për ngritje të çmimit për 15%, që do të jetë një goditje e rëndë për sektorin, e në veçanti për atë prodhues.
Tentativa për tregun e lirë të energjisë për biznese do të jetë një barrë shtesë, sepse, krahas çmimit të lartë të energjisë elektrike, transporti i saj do të rrisë koston dhe do të ndikojë në mënyrë zinxhirore edhe në çmimin e produkteve vendore, duke ulur konkurrueshmërinë në tregjet rajonale dhe më gjerë.
Partneriteti me sektorin privat dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm duhet të jetë prioritet i prioriteteve për çdo qeveri që do të themelohet në të ardhmen.