Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, i cili që nga viti korriku i vitit 2010 ka udhëhequr me këtë institucion, karrierën e tij do ta vazhdojë si këshilltar dhe profesor universitar.
Ai nuk e ka ndërmend që të merret me politikë, ndonëse ende nuk ka pranuar asnjë ofertë nga ndonjë parti politike për të qenë pjesë e tyre.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Gërxhaliu edhe pse e konsideron shqetësuese mosftesën e partive politike kundrejt tij, thotë se e di arsyen pse kjo nuk ka ndodhur.
Sipas tij, qasja direkte dhe kritikat e vazhdueshme ndaj të gjitha partive pa përjashtim nuk iu kanë pëlqyer këtyre të fundit.
“Me thanë të drejtën është shqetësuese që nga partitë politike nuk më ka kontaktuar askush si duket qasja direket nuk është atraktive për politikën aktuale”.
“… por shpresoj dhe dua të besoj që do të jem një këshilltar i mirë dhe në të njëjtën kohë do të jem një profesor i mirë në fakultet që do të kontribuoj në edukimin e gjeneratave të reja, jo me politikë”.
Të enjten Gërxhaliu zyrtarisht i ka dorëzuar detyrën kryetarit të ri të OEK-ut, Berat Rukiqit.