Gërxhaliu viziton kompaninë “Air Energy”, kërkon kushte për investitorët e huaj

Kamenicë | 29 Maj 2018 | 12:18 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vizituar kompaninë “Air Energy”, në fshatin Kikë të Kamenicës, ku sot filloi vendosja e nëntë turbinave me kapacitet 3.6 MGW për prodhimin e energjisë nga era.

“Air Energy” është themeluar më 2008 dhe është e orientuar në shfrytëzimin e burimeve të energjisë alternative e në veçanti energjisë me erë, raporton Ekonomia Online.

Gërxhaliu pas takimit me krerët e kompanisë tha se projektet e tilla janë të rëndësishme për vendin, qoftë në aspektin ekonomik ashtu edhe të plotësimit të kritereve për energjinë e alternative.

Ai bëri thirrje institucioneve që të punojnë në mënyrë që të krijojnë kushte për investime të tilla nga investitorët e huaj.

“Ky investim ka rëndësi sepse përveç aspektit ekonomik e cila është 50 milionë euro investim e cila posedon teknologjinë më moderne dhe përveç kësaj po bëhet një partneritet me kompaninë Gyrish. Ajo çka duhet të bëhet më tepër nga institucionet është qe projektet e tilla të promovohen dhe të zvogëlohen barrierat paraprakisht”.

“Dua të apeloj që kompanitë e tilla të mbështeten dhe të mos përcillen me barriera. Nga kjo nuk do të ketë vetëm përfitime ekonomike, por falë këtij projekti do të promovohen investimet e huaja. Që t’i kemi investitorët e huaj duhet të eliminohet burokracia. Fillimi implementimit të këtij projekti do të jetë një hap që do të kthej imazhin e vendit”.

Se Kosova ka potenciale për të investuar e bëri të ditur edhe menaxheri i projektit Tuncer Baltaci, raporton EO.

“Jeni të lumtur që po investojmë projektin e parë për energji me erë. Njerëzit këtu na kanë ndihmuar shumë. Janë disa rregulla për ti mbështetur investimet e huaja. Këtu është një regjion i mirë që ka erë të mjaftueshëm dhe për gjithë Kosovën energjia e erës do të jetë shumë mundësi e mirë”, tha Baltaçiu nga “Air Energy”.

Ibrahim Anameriç, anëtar i bordit të kompania “Guriic”, tha se në fillim nuk kanë qenë të njoftuar për procedurat që duhet ndjekur për të investuar.

Sipas tij, nëse punët shkojnë ashtu siç duhet brenda pak muajve do të fillohet edhe me prodhimin e energjisë.

Ai bëri me dije që do të vazhdojnë me investime të tilla në rast se iu ofrohen mundësi dhe plotësohen kushtet që kërkojnë.

Turbinat që do të instalohen  janë prodhuar nga kompania prestigjioze General Electric nga ShBA – Dega në Gjermani.

Kapaciteti vjetor i këtyre turbinave është 100 milion KË në orë, ndërsa Qeveria ka siguruar tarifën mbështetëse për 12 vitet e ardhshme, çmimi shitës  do të jetë 0.85 cent/KW orë,duke u mundësuar që të punojnë 20 punëtorë me kontrata të rregullta.

Ndërtimi ka filluar në vitin 2008 dhe janë kryer punimet kryesisht nga kompanitë vendore që ka bëre të mundur të jenë të angazhuar rreth 200 punëtorë gjatë procesit të ndërtimit me një kosto financiare rreth 10.000.000 euro.

Të ngjashme