Vonimi i formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të ndikojë në thellimin e krizës ekonomike në vend, vlerëson ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online tha se mungon një qasje serioze përballë minimizimit të pasojave negative të pandemisë.
“Duhet të kuptohet që Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe vetë fakti që brenda një viti po thuajse që e kemi qeverinë e tretë dhe kjo e dëshmon më së miri se sa është ngarkuar agjenda politike në Kosovë. Kur kemi agjendë politike anashkalohen edhe proceset ekonomike edhe politike edhe sociale dhe integruese, por mbi të gjitha mungon një qasje më serioze përballë minimizimit të pasojave negative të pandemisë dhe në këtë drejtim ai që e do Kosovën duhet të ngritet mbi interesat e partive politike dhe të mendojë për shtet”.
Madje, ai ka thënë se vonimi i formimit të institucioneve po shkon më tepër në favor të armiqve të Kosovës, se sa që po i kontribuon perspektivës së vendit.
“Do të ketë një opozitë që do të jetë mjaft konkstruktive dhe do të jetë zëri i arsyes jo i pengimit por i zhvillimit dhe avancimit të proceseve në Kosovë. Këto sfida duhet të ndahen në tri etapa kohore, etapa emergjente sepse është kohë pandemike, etapa e rimëkëmbjes dhe mbi të gjitha duhet ta kemi një qasje më proaktive sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm prandaj dhe bllokimi eventual i themelimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit shumë më tepër do t’i shkojë në favor armiqve të Kosovës se sa ardhmërisë dhe perspektivës së Kosovës”.
Ndërsa sa i përket ndihmesave të institucioneve karshi bizneseve dhe qytetarëve, Gërxhaliu thotë se ato nuk kanë qenë të mjaftueshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Nuk kemi arsye për të qenë të kënaqshëm me atë çka është bërë në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë. Në kohë pandemike vendet e rajonit kanë bërë shumë më tepër dhe kanë bërë gara se si të mbështeten bizneset dhe qytetarët, në Kosovë për fat të keq qytetarët në Kosovë nuk e kanë pasur mundësinë që ta shijojnë dorën e zgjatur të shtetit”
Ai ka folur edhe për prioritet që duhet t’i ketë Qeveria në ardhje. Gërxhaliu ka theksuar se prioritet për qeverinë e re duhet të jetë lufta kundër pandemisë dhe sigurimi i vaksinës anti-COVID.
“Por dua të besojë që prioritet i prioriteteve të jetë lufta kundër pandemisë dhe të paktën të kthehet një shpresë te qytetarët sepse do të kemi një vaksinim, sepse vendet e rajonit kanë bërë hapa të avancuar dhe janë duke bërë gara se kush më tepër po kryen vaksinimin e qytetarëve e në Kosovë nuk dihet data se kur do të kemi vaksina e vaksinim”.