Gjakova dhe Deçani, pa zot shtëpie deri më 22 tetor!?

Prishtinë | 07 Kor 2017 | 16:53 | Nga

Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, disa kryetarë të komunave të Kosovës kanë fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e ardhshëm të vendit. Ndaj, duhet të përcaktohen se cilin post do ta mbajnë meqë Ligji e kërkon këtë.

Besnik Muçaj, menaxher i programeve në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale – ka thënë për Telegrafin se në aspektin ligjor kryetarët e komunave kanë të drejtë të japin dorëheqje dhe Komuna të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Pas dorëheqjes së kryetarit, Komuna duhet të shkojë në zgjedhje me një vendim të presidentit të shtetit. Por, meqë zgjedhjet lokale janë shpallë të mbahen shumë shpejtë, atëherë ka paqartësi se çfarë saktë do të ndodhë”, ka thënë ai.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, mandatin e deputetëve e kanë fituar kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila (nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa), kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti (nga VV), dhe ai i Deçanit, Rasim Selmanaj (nga koalicioni PDK-AAK-NISMA). Kusari-Lila dhe Selmanaj kanë dhënë dorëheqje, Ahmeti akoma.

Ligji për Vetëqeverisje lokale thotë se me kërkesë të kryetarit, nënkryetari i ndihmon kryetarit në ushtrimin e funksioneve ekzekutive të përditshme dhe vepron në emër të kryetarit në mungesë të tij. Muçaj thotë se në rast të dorëheqjes së kryetarëve të Gjakovës e Deçanit, nënkryetari i Komunës mund të kryejë disa punë. Por, mandati i të parit të qytetit nuk bartet tek ai meqë kryetari zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët e nënkryetarët nga vet kryetari.

Po ashtu, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetarët e komunave nuk mund të mbajnë dy poste meqë kjo paraqet konflikt interesi. Në anën tjetër, Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë përcakton që me përfundimin e parakohshëm të mandatit, shpallen zgjedhjet e reja për kryetarin e ri mandati i të cilit përfundon me datën e njëjtë sikurse mandati i kryetarit që ai/ajo e zëvendëson.

Pra, nëse shpallen zgjedhjet e parakohshme në Gjakovë e Deçan, mandati i kryetarëve të rinj do të zgjasë deri më 22 tetor 2017 që është data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në nivel të Kosovës.

Rrethanat e sotme – kur brenda një viti mbahen zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare dhe nga këto zgjedhje dalin deputetë tre kryetarë komunash – nuk mund të përcaktohen lehtë me ligjet ekzistuese. Por, meqë jemi në sezonin e pushimeve verore e fushata për zgjedhjet e sivjetme lokale do të nis më 21 shtator e do të zgjasë deri më 20 tetor, mbetet që Gjakova e Deçani deri me zgjedhjen e kryetarëve të rinj të funksionojnë me nënkryetarë.

Të ngjashme