Në Gjakovë, me protestë u kërkua lirimi i Tomor Morinës nga paraburgimi në Maqedoninë e Veriut
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, jo vetëm nga Gjakova, janë mbledhur në qendër të këtij qyteti të mërkurën.
Përmes protestës, ata po kërkojnë lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina.
Sipas tyre, arrestimi i tij nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut është i padrejtë.
Familjarët e Morinës kanë thënë se janë të brengosur për të dhe të indinjuar me reagimin e shtetit kosovar.
Protestuesve u është drejtuar edhe kryetari i Komunës, Ardian Gjini, i cili tha se për këtë çështje, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka biseduar me autoritetet maqedonase.
Tomor Morina po vazhdon të mbahet në paraburgim në Maqedoninë e Veriut, ku u arrestua javën e kaluar, bazuar në një urdhërarrest të lëshuar nga INTERPOL’i, me kërkesë të Serbisë.
Prokuroria Serbe për Krime të Luftës, dyshon se Morina ishte i përfshirë në krimet e luftës kundër civilëve në rajonin e Gjakovës, nga janari e deri në qershor të vitit 1999.