Institucionet kosovare kanë ekstraduar shtetasin serb, Strahinja Gjankoviq, edhe pse sipas avokatit të tij, nuk ekziston një marrëveshje e tillë ndërmjet dy vendeve.
Ky i fundit ishte arrestuar kohë më parë për posedim të drogës dhe ishte dënuar ku ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Ndërkohë, avokati i Gjankoviqit në kushte anonimiteti ka thënë për EkonomiaOnline se i njëjti është marrë nga burgu dhe i është dorëzuar autoriteteve serbe në Merdarë.
Ai këtë po e quan edhe si kidnapim, pasi që pretendon se nuk ka një marrëveshjen ndërmjet dy vendeve për një ekstradim të klientit të tij.
“Klienti im është marrë sot nga Burgu i Dyzit, pa ndonjë vendim, apo kërkesë dhe është dërguar në Merdarë, ku i është dorëzuar autoriteteve serbe. Mendoj se ky është një kidnapim, ashtu siç ndodhi edhe me shtetasit turq, pasi që Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë për ekstradim:, ka thënë avokati i Gjankoviqit për EO.
EO ka provuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës, se mbi çfarë baze është kryer ky ekstradim.
Strahinja Gjankoviq, së bashku me Mario Millosheviq, Jovan Paviqeviq dhe Laureta Zuba, ishin arrestuar vitin e kaluar në një banesë në Prishtinë për posedim të drogës dhe armëve.
Për të gjithë ishte shpallur fletë arresti i Interpolit me dyshimin se kanë kryer vepra të rënda penale.
Gjankovqin e kishte kërkuar edhe Serbia me dyshimin se në shkurtin e këtij viti në Beograd kishte vrarë Petar Arsiqin.