“Gjasat janë të vogla të mbahet seancë sot”- U planifikua të dëshmonte dëshmitari i 105-të, s’dihet se çfarë ndodhi në rastin Thaçi dhe të tjerët

Prishtinë | 19 Nën 2024 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk dihet nëse do të mbahet sot, pasi një gjë të tillë e tha edhe mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts.

“Nuk e di në qoftë se do të bëhet ndonjë seancë sot apo jo. Gjasat janë të shumë të vogla në qoftë se nuk ekzistojnë fare”, tha ai.

Përpara kësaj, kur u hap seanca, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi seancë private për mbrojtjen e dëshmitarit, i cili ende nuk kishte arritur në sallën e gjyqit, por që të hënën ishte njoftuar se do të ketë dëshmitarë të ri pas përfundimit të dëshmisë së Nezir Çoçajt, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas disa minutash, seanca u hap duke u njoftuar që do të shkojnë në pushim për 15 minuta dhe nuk u bë e ditur se çfarë ndodhi në seancë private.

Me t’u kthyer nga pushimi, gjykatësi Smith pa pjesën tjetër të trupit gjykues, njoftoi se i duhen edhe rreth një orë pushim, me arsyetimin se i duhet informacion i nevojshëm për t’iu përgjigjur çështjeve të cilat janë ngritur gjatë seancës private.

“Do të na duhet rreth një orë në mënyrë të tillë që mund të marrim informacionin e nevojshëm për t’i dhënë përgjigje çështjeve të cilat i ngritët ju. Kështu që do të takohemi sërish në orën 10:30 dhe shpresoj që deri atëherë të kemi disa përgjigje për ju”, tha Smith.

Si rrjedhojë, avokati Roberts tha se ka gjasa të vogla që seanca të mbahet sot, mirëpo kërkoi që klienti i tij të kthehet në njësinë e paraburgimit e në rast që seanca mbahet, atëherë të jetë prezent përmes video-lidhjes.

“Në qoftëse më lejoni, a është e mundur që zoti Zelimi mbase të kthehet në njësinë e paraburgimit dhe të ndjekë përmes video-lidhjes. Nuk e di në qoftë se do të bëhet ndonjë seancë sot apo jo. Gjasat janë të shumë të vogla në qoftë se nuk ekzistojnë fare, por thjesht do ju kërkoja leje nëse mundemi që zoti Selimi të dërgohet në qendrën e paraburgimit”, tha Roberts.

Por, gjykatësi e refuzoi tani për tani këtë kërkesë, duke i thënë që ajo do të merret parasysh pas pushimit.

“Do të ishte mirë që të qëndrojë për këtë orë. Domethënë ne do të takohemi për një orë, por ne do të marrim parasysh edhe kërkesën tuaj, por do të shihemi përsëri në orën 10:30”, tha ai.

Ndryshe, në fillim të seancës, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit përveç Hashim Thaçit, i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në GjilanBudakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme